Violinisti Florian Vlashi në krye të formacionit orkestral “Shekulli XX” ka qenë këto ditë protagonist i dy shfaqjeve të veçanta muzikore në qytetin La Korunja (Spanjë), ku jeton dhe punon prej shumë vitesh.

Në kuadër të veprimtarive që janë organizuar në kuadër të 20-vjetorit të krijimit të këtij formacioni orkestral, shfaqja e parë u organizua paraditen e së dielës në stacionin e trenave hekurudhor të qytetit spanjoll. Drejtuesi i formacionit Florian Vlashi, së bashku me instrumentistët Tanasescu, Arteaga dhe Prokopenko në prani të dhjetëra shikuesve udhëtarë interpretuan në hollin e stacionit hekurudhor pjesën “Diferent Trains” të kompozitorit amerikan Steve Reich.

Ndërsa në mbrëmje spektatorët që mbushën sallën e teatrit “Rosalia de Castro” në Korunja ndoqën interpretimin e formacionit “Shekulli XX”, i cili nën drejtimin e violinistit shqiptar solli veprën e njohur “Historia e ushtarit” të kompozitorit rus Igor Stravinski.

Këto ditë, në nderim të veprimtarisë artistike të ansamblit “Shekulli XX” janë programuar edhe dy koncerte të tjera në Betanzo dhe në Madrid, ideuar nga themeluesi i ansamblit, Florian Vlashi. Njëri prej tyre i kushtohet Nënë Terezës, ndërsa në koncertin e dytë me vepra nga kompozitorët Zavala, Buide, Reich, Feim Ibrahimi, Marcos dhe Halffter bashkë me ansamblin “Shekulli XX” do të interpretojë edhe pianistja shqiptare Etrita Ibrahimi.

Që nga viti 1992 Florian Vlashi dhe familja e tij jetojnë e punojnë në Spanjë. Përveç punës së përditshme në Orkestrën Sinfonike të Galicisë, violinisti shqiptar ka hedhur disa hapa të tjerë, mjaft të rëndësishëm për karrierën e tij si solist dhe dirigjent.

Në vitin 1996 ai themelon grupin instrumental “Shekulli XX”, me instrumentistë nga 11 vende të botës, në repertorin e të cilit përveç partiturave të autorëve botërorë të shekullit që lamë pas si Stravinski, Bartok, Schoenberg, Debussy, etj. zunë vend edhe veprat e kompozitorëve shqiptarë Çesk Zadeja, Hajg Zacharian, Feim Ibrahimi, Edmond Buharaja, Zeqirja Ballata, Akil Koci, Rafet Rudi, Thoma Simaku e Dorian Çene.

Në vitin 2003 së bashku me Redianën, bashkëshortja e tij violonçeliste, dy djemtë instrumentistë Danielin dhe Martinin, si dhe me një grup miqsh artistë ai ndërmori nismën për organizimin e Bienales “Netët e muzikës klasike” në qytetin e tij të lindjes, në Durrës. Çdo dy vjet në qytetin bregdetar instrumentistë shqiptarë dhe të huaj interpretojnë muzikë klasike, romantike, baroke dhe moderne, duke i dhënë jetë një jave krejtësisht ndryshe në sezonin veror të Durrësit. /ATA/