Operatorët turistikë në Durrës kanë përshëndetur vendimin e marrë nga qeveria shqiptare për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 20 në 6%, për fjetjen në hotel.
Për subjektet turistikë të fushës së hotelerisë kjo konsiderohet një fitore e madhe, e arritur me shumë mundim, pas disa vitesh kërkesash të vazhdueshme.
Kryetari i shoqatës së hotelierëve në Durrës Eduart Xhepa, deklaroi se vendimi për uljen e TVSH-së së fjetjes në hotel, tregon se qeveria po kthen vëmendjen nga sektori i turizmit. Ky vendim pritet të japë efekt në përmirësimin e ofertave turistike të operatorëve vendas, në raport me operatorët e vendeve fqinjë.
Sipas kreut të shoqatës së hotelierëve qeveria duhet të ulë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në restorante dhe tek prodhimet e vendit. Çmimet në restorantet shqiptare dhe të prodhimeve të vendit, duke nisur nga prodhimet e detit, janë më të larta se vendet e rajonit, sepse klientit i faturohet 20% vlera e TVSH për çdo produkt që konsumon në restorant.
Shoqatat e turizmit në Durrës, dolën me dy propozime konkrete për Ministrinë e Financave: me uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për biznesin turistik nga 20 në 8%, dhe vendosjen e çmimeve për hotelet, në bazë të zonave, por jo më shumë se 140 lekë në natë për person.
Në të gjitha vendet e rajonit TVSH varion nga 4 në 8 %. Taksa e hotelerisë u kërkua fikse, dhe e ndarë sipas zonave, por jo më shumë se 140 lekë në natë për person.
Por nga ana tjetër krijimi i kushteve sa më të mira në infrastrukturë, për mikpritjen e pushuesve është detyrë e pushtetit lokal në bashkëpunim me operatorët. Në bazë të të dhënave të bëra publike, të ardhurat nga turizmi për zonën e Durrësit arrijnë deri në 150 milionë euro në vit. Mbi 6 miliardë euro kanë investuar subjektet private për këtë sektor, ndërsa numri i pushuesve në ditët e pikut arrin në 150 mijë persona në ditë.
Për vitin 2016, raporti i fundit i Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit (WTTC) renditi Shqipërinë në vendin e 96 nga i 120-i që ishim në vitin 2015 sa i përket kontributit total të turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Për vitin 2017, shifrat janë pozitive, madje ritmi i rritjes së industrisë së turizmit është edhe mbi mesataren botërore, si për kontributin direkt (5.2%), ashtu edhe atë total (5.3%).
Në vitin 2016, kontributi total i turizmit ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto llogaritet në rreth 3.2 miliardë dollarë ose rreth 26%. Për këtë vit, kjo shifër pritet të rritet me rreth 5.3%. Për vitin 2027 parashikohet që turizmi shqiptar të kontribuojë me rreth 33% ndaj PBB-së.
Punësimi është një tjetër tregues në rritje. Sipas WTTC-së, gjatë 2016-s, turizmi mbështeti direkt 85,000 vende pune (7.7% të totalit). Gjatë këtij viti parashikohet që kjo shifër të rritet me rreth 3.2% më shumë se në vitin paraardhës. Deri në 2027, numri i të punësuarve pritet të arrijë në 120,000.
K.H.