Ndoshta zyshat e saj të Liceut e parandjenë që Yllka Mujo do të ishte një këngëtare e shkëlqyer, prandaj edhe këmbëngulnin që të mos e braktiste, por ajo dëgjoi zemrën, zgjodhi aktrimin.
Pak prej dashurisë së pamundur të të atit për t’u bërë aktor e pak sepse e humbiste kontrollin e vetes në sheshxhirim zgjodhi të bënte një gjë, vetëm një gjë, sado që mundte t’i bënte të dyja, por ta bënte mirë.
Askush nuk mund ta dijë se si do të ishte sot Yllka Mujo këngëtare, ama e dimë të gjithë se si është sot Yllka Mujo aktore, më e mira, shkruan “Unë Gruaja”, suplementi i se shtunës në “Panorama”.
Në serinë e dokumentarëve “Përballë”, realizuar nga “Digitalb” në bashkëpunim me Arkivin Qendror Kombëtar të Filmit, Yllka Mujo ka rrëfyer të gjitha hapat e karrierës së saj. Që nga koncertet e para si soliste, te roli i parë figurant e përvojat e mëpasshme, që e bënë yllin e kinematografisë dhe teatrit shqiptar.
Ajo nuk harroi as të këndojë e as t’i bjerë pianos, ndërsa aktronte, duke realizuar kështu ëndrrën e babait, që nuk u bë dot aktor dhe të së ëmës, që nuk u bë dot këngëtare.
Ajo rrëfen se si ia hoqën rolin e prostitutës te filmi “Rrugicat qe kerkonin diell”.
“Roli quhej Magda dhe ishte një vajzë që vinte nga shtresat e varfra, e cila përfundonte prostitutë në një shtëpi publike në kohën e pushtimit italian. Nebi Surreli, që ka pasur njohje me Magdën që herët, e heq nga ai ambient dhe e fut në një ambient njerëzish të lirë. Rolin e mora me shumë qejf, sepse më kanë pëlqyer gjithnjë rolet me thyerje. Shkuam në Korçë me Mevlanin dhe xhiruam skenën e fëmijërisë”, thotë ajo.
Sipas saj, për fat të keq, rolin e Magdës e kishin parë si të papërshtatshëm, e kishin kontrolluar skenarin sepse femrat shqiptare nuk mund të përfundonin në shtëpi publike, i kishin ndërruar emrin e kishin bërë Semi.
“Roli ishte i bukur, por nuk ishte Magda që unë kisha ëndërruar. Megjithatë, shkoi gjithçka shumë mirë. Bëra shumë mikesha në Korçë, librat e parë të verdhë e të ndaluar i kisha marrë nga Korça. Ishin njerëz të fisëm që influencuan tek unë dhe sot, në Korçë, kujtoj gjithmonë atë kohë. Marr kufjet, i vë në vesh dhe eci nëpër ato rrugica, duke kujtuar vizitën e parë të xhirimeve”, thotë Mujo.