Ajo që ka rënë menjëherë në sy në reagimin e djeshëm të Andi Lilës në profilin e tij në “Facebook” dhe “Instagram” ishte e shkruara në anglisht. Sigurisht, ajo u drejtohej grekëve, klubit të tij PAS Janinës dhe tifozëve të skuadrës, pasi shpjegohej edhe në reagim. Por, fakti që nuk shkruhej edhe shqip, lë një shije të keqe.
Edhe shqiptarët që Lila përfaqëson duke veshur fanellën e Kombëtares meritonin një ndjesë të shkruar në shqip dhe jo në anglisht. Sigurisht, media e ka bërë punën e saj duke e përkthyer, por kjo nuk mjafton. Është lehtësisht e kuptueshme se mbrojtësi i Kombëtares është shqetësuar vetëm për priftërinjtë grekë, klubin e tij dhe tifozët grekë. Kjo shpjegon edhe faktin që reagimi i djeshëm është bërë vetëm në gjuhën angleze dhe jo atë shqipe.
Federata Shqiptare e Futbollit nuk reagoi në lidhje me videoskandalin ku u përfshi mbrojtësi i Kombëtares, Andi Lila. Megjithëse ngjarja u zbardh nga media që në mëngjesin e sfidës me Italinë, nuk pati asnjë reagim nga institucioni i futbollit apo stafi i Kombëtares. Një distancim dhe izolim i rastit me siguri që do të kishte shërbyer që skandali të mos merrte përmasa të tilla siç ndodhi gjatë këtyre ditëve. Një ngjarje që tërhoqi vëmendje shumë të madhe të opinionit, ku u përfshinë jo vetëm mediat shqiptare, por edhe ato greke. Gjithashtu, është përfolur se klubi ku luan aktualisht lojtari do të kërkojë prishjen e kontratës me të. Si në shumë raste skandalesh, Federata nuk reagon duke preferuar t’i kalojë në heshtje. Një zgjedhje që i mbështjell ngjarjet me më shumë mister dhe dyshime.