Katër persona u vranë e dhjetëra të tjerë u plagosën në Londër, pasi një makinë hipi në trotuar dhe më pas autori goditi me thikë një oficer policie pranë parlamentin, në atë që tashmë rezulton sulm terrorist. Autori u qëllua për vdekje nga policia.
Vitin e shkuar u përdorën kamionë, që çuan në pasoja të tmerrshme në turmat e njerëzve, në Berlin e Nice, ndryshe nga sulmet më të organizuara që goditën Parisin e Madridin, ashtu sikurse Londrën në 2005 –ën, duke përdorur skuadra kamikazësh e militantë të armatosur.
Shteti Islamik mori përsipër përgjegjësinë, si në rastin e sulmit në Nice, Korrikun e shkuar, kur një kamion vrau 86 persona që po festonin Ditën e Bastille, ashtu sikurse sulmin e Dhjetorit në Berlin, ku kamioni u fut në një treg Krishtlindjesh duke vrarë 12 persona.
Nuk vonoi shumë dhe Shteti Islamik mori përsipër edhe sulmin e së mërkurës në Londër.
Shteti Islamik është nën presion të fortë në Siri e Irak, pasi në një prej bastioneve të tij të fundit, Mosul, forcat irakiane të mbështetura nga një koalicion ku bën pjesë edhe Britania, vijojnë ofensivën.
Në 2016 –ën, ISIS inkurajoi lexuesit e revistës së saj në internet Rumiyah, që të përdornin automjete për të vrarë e plagosur.
Sulmet në Izrael
Sulmet me automjete nuk janë një taktikë e re në Lindjen e Mesme.
Në 2008 –ën, një palestinez u fut me bulldozer në një rrugë në Jeruzalem, përpara vizitës së kandidatit amerikan për president të asaj kohe, Barack Obama, duke plagosur të paktën 16 persona.
Një tjetër palestinez u fut me kamion mes një grupi ushtarësh në Jeruzalem Janarin e këtij viti, duke vrarë 4 prej tyre, një ngjarje të cilën Kryeministri Benjamin Netanyahu tha se me gjasë ishte frymëzuar nga Shteti Islamik.
Ish – analisti i CIA, Paul Pillar shprehet se, teksa shqetësimet prej shumë kohësh kanë qenë të fokusuara tek metodat e sofistikuara dhe të teknologjisë së lartë të sulmeve terroriste, mënyrat më të zakonshme për të vrarë sa më shumë njerëz kanë qenë gjithnjë të thjeshta dhe nuk kërkojnë kurrfarë sofistikimi e trajnimi.
“Kjo përfshin të përplasësh njerëz me makina në çdo vend të populluar të rrugëve të qytetit. Vendndodhjet mund të zgjidhen në bazë të kuptimit politik apo fetar, të tilla si tregu i Krishtlindjes, apo pranë parlamentit të një vendit, por ekzistojnë gjithnjë vende publike të mbushura me njerëz”, shpjegon ai.
Jean – Charles Brisard, president i Qendrës së Analizës të Terrorizmit tha se sulmi i së mërkurës dukej të ishte “bazik në konceptin e tij”.
Përdorimi i një makine për të bërë dëme ka qenë një taktikë tepër e vlerësuar nga militantët, sepse ishte vdekjeprurëse, thekson ai. “Me një automjet ata mund të shkaktojnë më shumë vdekje sesa me një thikë apo hanxhar”.
“Sulmet sot po bëhen gjithnjë e më të pa parashikueshme, me mjete bazike, si armë, thika, automjete”, shprehet Brisard më tej.
Për Anne Giudicelli, drejtuese e konsulencës së sigurisë Terr(o)risc në Paris, shtimi i vigjilencës në qytetet e mëdha ka ndihmuar në ndryshimin e taktikave të përdorura nga militantët.
“Sa herë që vë në zbatim një masë të re pas një sulmi, apo e parandalon një të tillë, militantët adaptohen për t’i mënjanuar masat e vendosura dhe për të gjetur mangësitë”, shprehet ajo.
Tyson Barker, drejtues i programit me Institutin Aspen, në Gjermani thotë se sulmi në Londër nënvizoi vështirësinë për të mbrojtur objektivët e “brishtë” dhe kompromiset mes sigurisë dhe lirisë në shoqëritë e hapura perëndimore.
“Nuk mund ta eleminosh kurrë mundësinë e një sulmi. Objektivi është që të bllokosh sa më shumë rrugë, ndaj përgjigja duhet të jetë analiza inteligjente, elasticitet, vigjilencë, por jo çdo që do të cënonte përgjithmonë atë liri, që është ekzaktësisht ajo që po përpiqemi të ruajmë”, thekson Barker.
Sipas tij, është ende herët për të parashikuar pasojat e sulmit të së mërkurën, por sulmet nga simpatizantët e Shtetit Islamik në San Bernardino në Kaliforni, në 2015 –ën shkaktuan një fushatë të përbetuar nga Presidenti aktual Donald Trump, për të ndaluar futjen e myslimanëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sulmi në tregun e Krishtlindjes në Dhjetor në Berlin shkaktoi ndryshime domethënëse në politikat gjermane sa i përket survejimit me kamera dhe aftësinë për të ndaluar azilkërkues që konsiderohen të dyshimtë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Arabisë Saudite, Mansour al – Turki, pjesë e delegacionit në Paris, për bisedime me autoritetet franceze për anti – terrorizmin, tha se mposhtja e grupeve si Shteti Islamik e Al Kaeda mund të çojë në copëtim të kërcënimit, duke krijuar probleme të reja për qeveritë.
“Kur të mposhten në Siri dhe Irak, të gjithë do të përballemi me vështirësi dhe askush nuk e di se ku do të shkojnë luftëtarët e ISIS”, tha ai për gazetarët.
“Mendoj se do të hyjmë në fazën tjetër të terrorizmit, që është nëpërmjet mediave sociale dhe ujqërve të vetmuar”, theksoi ai. /tvklan.al