Besimtarët myslimanë bektashianë kremtojnë sot ditëlindjen e Imam Aliut, të njohur si Dita e Nevruzit. Dita e Sulltan Nevruzit njihet si dita e fisnikërisë bektashiane dhe dita e ringjalljes së madhe. Kjo ditë nis me urimet më të mira për mbarësi, mirëqënie, paqe.

Në këtë ditë çdo gjë mund të ringjallet, lind shpresa, ringjallja për gjithë njerëzimin. Ajo është një ditë e re, kur të gjithë shpresojnë për një të ardhme më të mirë.

Me rastin e kësaj feste, në mjediset e Selisë së Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane zhvillohet ceremonia tradicionale fetare ku Kreu i Komunitetit të Bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj uron të gjithë besimtarët me rastin e Sulltan Nevruzit.

Baba Mondi ka uruar sot bektashinjtë në mbarë botën me rastin e festës së Sulltan Novruzit, e cila në Shqipëri është festë zyrtare, si dhe ka publikuar kalendarin e akiviteteve që do të zhvillohen gjatë kësaj dite.

URIMI:

"Te nderuar muhibe, dashamires dhe miq te Kryegjyshates Boterore Bektashiane!

Duke iu uruar fat e mbaresi ne familjet tuaja, ju bejme me dije se festimet e Sulltan Novruzit kete vit, kemi menduar t'i shtrijme ne kohe, permes eventesh te ndryshem. Keshtu, me 22 mars 2017, festimet nisin ne oren 10.00, me koncert festiv, dorezim dekoratash, celebrimi i liturgjise se festes se Sulltan Novruzit dhe vizitave ne Seline e Shenjte. Ndersa, ne oren 16.00 e ne vazhdim do te kemi shfaqje te filmave nga veprimtari bektashiane.

Duke iu ftuar te ndajme se bashku, gezimet dhe emocionet e ketyre veprimtarive,

Zoti iu bekofte!

Kryegjyshi Boteror Bektashian

Shenjteria e Tij

Haxhi Dede Edmond Brahimaj

Ritet dhe gatimet tradicionale për festën e Sulltan Nevruzit

Festa e Sulltan Nevruzit është shumë e rëndësishme për besimtarët bektashinj. Besimtarët gostiten me ëmbëlsira të shumëllojshme, për të treguar dashurinë që kanë për njëri-tjetrin dhe bujarinë e tyre. Ata duhet të ndihmojnë të varfrit dhe personat që janë në vështirësi duke iu falur ushqime ose të ardhura. Nëse nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë, duhet të luten për njerëzit që vuajnë.

Në këtë ditë feste bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose bimë të tjera. Vendosin nëpër portat e shtëpive degë thane ose ulliri. Një rit interesant është dhe varja e veroreve të Ditës së Verës në degët e trëndafilit ose të shegës. Në mëngjes duhet pirë qumësht dhe duhet bërë sherbet, sepse këto dy pije quhen pije parajse.

Në këtë ditë bektashinjtë gatuajnë disa ushqime karakteristike, të cilat janë trashëguar brez pas brezi. Për Sulltan Nevruz bektashinjtë gatuajnë byrek me 12 lloje të ndryshme barishtesh. Bimët e tokës kanë një rëndësi të veçantë, sepse simbolizojnë jetën e re, që çel në pranverë dhe begatinë. Në byrek futet edhe një monedhe metalike. Pasi është pjekur byreku, ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe i jepet secilit prej anëtarëve të familjes. Ai që gjen monedhën në pjesën e tij konsiderohet njeri me fat dhe se do të ketë një vit të mbarë dhe të begatë.

Në këtë ditë gatuhet edhe përshesh me pulë ose me mish qengji. Për Sulltan Nevruz besimtarët duhet të therin kurban. Në tryezat e tyre nuk mungon mishi i pjekur. Ëmbëlsira tradicionale e kësaj feste është sultiashi. Kjo ëmbëlsirë përbëhet nga qumështi, që është simbol i qumështit të nënës; orizi, që simbolizon drithërat dhe bollëkun, dhe sherbeti që merret i kënduar në teqe. Si ëmbëlsirë mund të gatuhet edhe kabuni (me oriz, lëng mishi, sheqer, rrush të thatë dhe arra). Në zonat fushore bëhet edhe kulaç me petë që fëmijët i rrokullisin në arat me grurë për të sjellë bollëk në familje.