Një fushatë sensibilizuese nga “Save the Children” për fëmijet me sindromë Down është organizuar me rastin e Ditës Botërore të kësaj sindrome.

Sot shënohet 12 vjetori i Ditës Botërore të Sindromës Down.

Alda Agolli tha se në këtë fushatë janë përfshirë disa OJQ dhe Bashkia e Durrësit me moton “ Ndihmoni jetën!” synimi i fushatës është që opinioni publik të pranojë fëmijët që vuajnë nga kjo sindromë dhe që ata të përfshihen në çdo aktivitet të komunitetit.

Kjo ditë është shënuar për të theksuar të drejtat e tyre dhe  është caktuar në vitin 2006 nga Shoqata Kombëtare e Sindromës Down në Amerikë, duke u ndjekur nga shumë shtete më pas.

Synimi i kësaj dite është ndërgjegjësimi, informimi si dhe promovimi për personat që kanë këtë sindromë në mënyrë që të jetojnë me dinjitet dhe për të qenë aktivë e pjesëmarrës në komunitetin dhe shoqërinë ku jetojnë. Muaji tetor, ka qenë muaji i sensibilizimit për sindromën Down. Një rezolutë për ta përcaktuar 21 marsin si Ditën Ndërkombëtare të Sindromës Down është adaptuar me konsensus nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në dhjetor të vitit 2011.

Karakteristikat e njerëzve me sindromën Down:

1. Individët me sindromën Down kanë 47 kromozome në vend të 46 kromozomeve që kanë individët pa këtë sindrome. Si ndodh kjo? Ata kanë një kopje shtesë të kromozomit te 21-të.

2. Sindroma Down nuk është një sëmundje (dhe as diçka që ngjitet). Ajo është një kusht gjenetik (çrregullim kromozomik), i shkaktuar nga prania e një kromozomi shtesë në kromozomin e 21. Faktori gjenetik tek çdo njeri është gjithashtu përcaktues i ngjyrës së flokëve, syve dhe gjatësisë.

3. Quhet sindroma Down, jo Down-ët, dhe individët që kanë sindromën Down nuk janë sindroma Down. Sindroma Down nuk përcakton individin, ajo është thjesht një pjesë e asaj çka janë këta individë.

4. Individët nuk kanë sindromën Down “të lehtë” ose “të rënde”. Aftësia nuk varet nga kushti gjenetik por nga individi. Individët ose e kanë sindromën Down ose nuk e kanë atë.

5. Ndryshe nga perceptimi i krijuar, individët me sindromën Down nuk janë gjithmonë të lumtur. Ata përjetojnë çdo emocion.

6. Fëmijët me sindromën Down kalojnë në të njëjtat stade zhvillimi si fëmijët që nuk e kanë këtë sindromë. Ku qëndron ndryshimi mes tyre? Krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre, fëmijëve me sindromën Down i nevojitet më shumë kohë dhe punë e asistuar nga familja dhe profesionistët e shërbimeve terapeutike, për të arritur gurët kilometrike të zhvillimit, si psh., rrotullimin, të qëndruarin ulur, zvarritjen, të ecurit, të folurit etj.

7. Ndonëse ka disa tipare fizike karakteristike tek individët me sindromën Down, ata ngjasojnë më shumë me familjaret e tyre sesa me njëri-tjetrin.

8. Tiparet e fytyrës së një individi nuk përcaktojnë aftësinë konjitive të tij. Vetëm sepse dikush ka disa prej tipareve fizike karakteristike të sindromës Down, nuk do të thotë qe ka nivel inteligjence më të ulët. Gjithashtu dhe sepse dikush ka tipare fizike të sindromës Down pak më të dallueshme, nuk do të thotë që inteligjenca e tyre është më e lartë.