Më shumë se 1 milion paund sende me vlerë janë grabitur në kështjellën Arundel në Britaninë e Madhe, një ditë pasi kështjella u hap për vizitorët, pasi qeveria ka lehtësuar masat kundër Covid sipas BBC.

Deri tani mësohet se janë grabitur disa rruaza me shumë vlerë, të ruajtura që në vitin 1587, kohë kur u vra Mbretëresha Mary. Po ashtu raportohet se janë grabitur dhe sende të tjera si gota të përdorura në dasma mbretërore shekuj më parë, por edhe stoli të tjera ari dhe argjendi.

Një zëdhënës i kështjellës ka thënë se sendet e vjedhura kanë një rëndësi shumë të madhe historike. Kështjella kishte sistem alarmi, por edhe pse njoftimi u bë në kohë dhe policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, sërish nuk u arrit që të kapeshin autorët.

Zëdhënësi i kështjellës ka deklaruar se vlera e sendeve të vjedhura është shumë e madhe, pasi ato ishin një pjesë e historisë së familjes Howard dhe trashëgimisë së të gjithë kombit.

Punonjësit e Arundel kanë kërkuar ndihmë nga qytetarët, që të bashkëpunojnë me policinë dhe të raportojnë nëse dinë diçka rreth grabitjes. Deri tani ende nuk ka asnjë autor të dyshuar, por hetimet po vijojnë me intensitet të shtuar.