Presidenti rus Vladimir Putin konsiderohet si njeriu më i fuqishëm në botë. Por përse? Në fund të fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, madje edhe Kina, janë shtete më të fuqishme se Rusia.
Fuqia e kreut të shtetit përcaktohet si nga fuqia e shtetit, ashtu edhe nga aftësia që lideri ka për të ushtruar këtë fuqi, në mënyrë të njëanshme, të pa frenuar nga institucionet e tjera, partitë e forcat politike.
E duke bashkuar këto dy gjëra, është e lehtë për të kuptuar përse Vladimir Putin qëndron në krye të listës.
Putin ka krijuar atë që ai e quan “fuqi vertikale”, diçka që zor se mund ta shohësh në kombe të tjera të mëdha. Ashtu sikurse ka vënë në dukje mjeshtri i madh rus i Shahut, Gary Kasparov, një kritik i ashpër i Putin, e gjithë struktura e fuqisë politike ruse qëndron tek një njeri.
Kur Cari vdiq, dihej që struktura do të qëndronte dhe procesi me anë të së cilit pasardhësi, djali i tij, do të ngrihej.
Kur Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Sovjetike Komuniste vdiq, ishte Komiteti Qendror dhe Byroja Politike që zgjidhte pasardhësin e tij.
Po kur të vdesë Putin, çfarë do të ndodhë? Askush nuk e di.
Për të kuptuar Putin është e nevojshme të kuptosh Rusinë. 100 vitet e fundit, ky vend ka parë rrëzimin e monarkisë, kolapsin e demokracisë, depresionin e madh, Luftën e Dytë Botërore, ku u vranë me miliona rusë, brutalitetin e totalitarizmit të Stalinit, kolapsin e komunizmit, shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe vitet e kaosit e korrupsionit të Boris Yeltsin.
Më pas vjen Vladimir Putin, i cili përcjell stabilitet në perceptimin popullor, duke rritur standardin e jetesës, rëndësinë dhe respektin në botë. Ky respekt është i rëndësishëm.
Rusët kanë një krenari të madhe kombëtare. Rusia është shteti më i madh në planet, 48 herë më i madh se Gjermania dhe shtrihet në 11 zona kohore që përfshijnë Europën, Azinë dhe Lindjen e Mesme.
Rusia është gjithashtu një vend i pasur, që përmban disa prej depozitave më të mëdha të lëndëve të para, nga nafta dhe gazi natyror, te nikeli e alumini.
Nga ana kulturore, ajo e ka konsideruar shpesh veten si Roma e tretë, duke e ruajtur Krishtërimin edhe kur Roma dhe Bizanti ranë në duart e barbarëve.
Putin e kupton Rusinë. Por ai kupton gjithashtu botën. Ai është aq inteligjent sa për të mos e sulmuar drejtpërdrejt Amerikën apo Europën. Por ai di si ta përdorë fuqinë në mënyrë asimetrike, duke përdorur mjete kibernetike dhe dezinformimin.
Ai kupton gjithashtu dobësitë e shoqërive të lira, ndarjet e mosmarrëveshjet e tyre të brendshme. Ai e kupton brishtësinë e institucioneve si Bashkimi Europian dhe ide të tilla si integrimi e diversiteti.
Me pak fjalë, Vladimir Putin na kupton shumë mirë. Por pyetja që lind natyrshëm është: A e kuptojmë ne vërtetë? Po Trump?
Burimi: CNN
Marrë nga “tvklan.al”