Turi i poetit, tregimtarit dhe muzikantit xhenovez Claudio Pozzani në Shqipëri vijoi me ndalesën në qytetin e Durrësit. Pritja e poetit dhe përurimi i vëllimit me poezi "Kjo faqe e grisur" u bë në Muzeun Arkeologjik të qytetit bregdetar.

Punonjësja e Bibliotekës Teuta Dhima përshëndeti dhe i uroi mirëseardhjen poetit në emër te poetëve dhe shkrimtarëve durrsakë si edhe në emër te Bibliotekës Publike. Poeti, prozatori dhe botuesi i shtëpisë botuese Zenit, Krenar Zejno, përshëndeti dhe përgëzoi poetin për vëllimin me poezi, ndërsa gazetarja e RTSh-së Mira Tuçi , e cila është edhe përkthuese e poezive të Claudio Pozzanos në shqip, zhvilloi me poetin një intervistë për tematikën dhe problematikën e poezive të tij. Vetë poeti interpretoi disa poezi të cilat i sollën ne shqip Mira Tuci, Teuta Dhima dhe Enton Bido.

Poetja durrsake Merita Thartori dhe poeti Vaso Papaj i drejtuan pyetje Pozzani-t në lidhje me studimin e letërsisë në programet shkollore. Mësuesja e letërsise dhe poetja Ledi Myshketa vlerësuan arritjet ne përkthimin e poezisë nga gazeterja Mira Tuçi. Claudio Pozzani është përkthyer në më shumë se 10 vende dhe poezitë e tij jane shfaqur në antologji dhe revista të rëndësishme ndërkombëtare dhe bashkëkohore. Është themeluesi dhe drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë së Xhenovas, krijuar në 1995 dhe konsideruar si eventi më i rëndësishëm i poezisë në Itali.

Vetë Pozzani është shprehur i kënaqur dhe i lumtur për ardhjen e tij në vendin tonë dhe aktivitetin e zhvilluar. 

"Për mua të kthehem në Shqipëri është kënaqësi, sepse jam shumë i lidhur me këtë vend dhe sidomos me njerëzit. Më pëlqen shumë atmosfera këtu dhe për mua është dhuratë të kthehem sërish këtu. E dua Shqipërinë dhe më pëlqen të vizitoj qytete të ndryshme. Mendoj se është i rëndësishëm transmetimi gojor i poezisë, ta performosh atë për publikun, siç më pëlqen mua të bëj",- tha ai.

"Është e rëndësishme të kultivosh kujtesën dhe të mos harrosh gjurmët e së shkuarës, për të ndërtuar me to gjëra moderne. Kujtesa është gjurma jonë në udhëtimin e jëtës. Ne jemi produkt i gjërave që kemi bërë më parë”,-përfundoi Pozzani. 

K.H.