Kontrollet për punësimin informal pritet të ashpërsohen. Me ndryshimet e dorëzuara në Kuvend të ligjit “Për inspektimin e punës’ parashikohet që për herë të parë të përfshihet në ato që njihen si ‘masa urgjente’ edhe punësimi informal.

Me këto ndryshime  “Masë urgjente” do të konsiderohen jo më të gjitha shkeljet e legjislacionit të punës, por vetëm rastet e konstatimit të punësimit informal dhe rastet kur vazhdimi i aktivitetit përbën rrezikshmëri të menjëhershme, të rëndë, të paevitueshme për sigurinë dhe shëndetin e punëmarrësve dhe është i nevojshëm evakuimi i tyre nga vendi i punës, rast në të cilin do të procedohet në përputhje të plotë me ligjin kuadër për inspektimin.

Për herë të parë përcaktohet i qartë në ligj përkufizimi “punësim informal”, si një kërkesë kjo e vazhdueshme e ekspertëve ndërkombëtarë, ILO-s, Kartës Sociale të Rishikuar apo të nënkomitetit të zhvillimit të burimeve njerëzore.

Një tjetër risi që parashikon projektligji është edhe ulja e barrierave të biznesit, me shfuqizimin e pikës 4, të nenit 22, në ligjin aktual: “Deklarimi i subjekteve ekonomike pranë inspektoratit të punës”, kërkesë e grupit të ekspertëve në kuadër të programit “Doing business”.

Gjithashtu janë shfuqizuar një sërë përkufizimesh që lidhen me sigurinë dhe shëndetin në punë, të cilat ekzistojnë në ligjin “Për sigurinë dhe shëndetin në punë”.

Sipas një studimi të ILO-s mbi punësimin informal, arsyet për informalitetin në Shqipëri lidhen me: legjislacionin e komplikuar, me rregullimet administrative, barrën fiskale, mungesën e besimit tek institucionet dhe kulturën dhe etikën për të paguar taksat si dhe pranimin gjerësisht, nga publiku, të punës ilegale. Ndërsa sipas ekspertëve të Bankës Botërore “Qeveria do duhet të sigurojë mekanizma të mjaftueshëm socialë për të adresuar pasojat apo çështjet afatshkurtra që mund të dalin mbi segmentet më të varfra të shoqërisë”.

Në projektligj parashikohet edhe një riformulim i neneve që parashikojnë masa administrative. Ai i kundërshtimit të inspektorëve të punës do të riformulohet, duke u bërë me i qartë: “Kur inspektori i punës kundërshtohet apo pengohet në kryerjen e detyrës, subjekti sanksionohet në masën nga 10,000 – 100 000 lekë”.

Ndërsa për herë të parë parashikohen gjoba edhe për ato subjekte private dhe publike që nuk krijojnë kushte për aksesin në vendin e punës të personave me aftësi të kufizuar. “Për shkelje të dispozitave të legjislacionit të punës, përjashtuar ato të parashikuara në shkronjën “a”, të pikës 1, të këtij neni, inspektori i punës vendos gjobë nga 10 deri në 50-fishin e pagës minimale, sipas parimit të proporcionalitetit, në përputhje me ligjin për inspektimin.”

Masat urgjente

(ligji aktual)

Inspektori, gjatë inspektimit, ka të drejtë që me vendim të ndërmjetëm, të marrë masa urgjente, kur:

a) për shkak të shkeljes së konstatuar të kërkesave ligjore mund të shkaktohet një dëm i menjëhershëm, i rëndë dhe i pariparueshëm i interesit publik apo i palëve të treta, veçanërisht kur është e nevojshme për të shmangur një rrezik të menjëhershëm për jetën apo shëndetin e njerëzve, kafshëve a për mjedisin;

b) ka një dyshim të arsyeshëm për shkelje të kërkesave ligjore, nga e cila mund të shkaktohet një dëm i menjëhershëm, i rëndë dhe i pariparueshëm, i interesit publik apo palëve të treta dhe është e nevojshme kryerja e verifikimeve të mëtejshme dokumentare ose kryerja e ekzaminimeve apo analizave.

Masat urgjente janë:

a) ndërprerja e kryerjes së një veprimi, veprimtarie apo një pjese të saj;

b) ndalimi i funksionimit të një instalimi, makinerie apo pajisjeje;

c) bllokimi dhe ndalimi i hyrjes në mjediset e ushtrimit të veprimtarisë;

ç) bllokimi dhe marrja në administrim e kafshëve, bimëve, mallrave, makinerive, produkteve apo sendeve;

d) ndalimi i përkohshëm i hyrjes në territorin e vendit të kafshëve, bimëve, mallrave, makinerive, produkteve apo sendeve;

dh) urdhërimi i subjektit të inspektimit të njoftojë të tretët apo publikun për rreziqet e mundshme;

e) edhe çdo masë tjetër që vlerësohet e domosdoshme dhe proporcionale për të realizuar qëllimin e masës urgjente.

Në rastin e ndalimit të hyrjes në territorin e vendit, sipas shkronjave “ç” e “d” të pikës 2 të këtij neni, sendet depozitohen dhe ruhen sipas dispozitave të ligjit të posaçëm apo përkatësisht marrëveshjeve ndërkombëtare.

Nëse është e mundur, qëllimi për të marrë një masë urgjente i njoftohet, paraprakisht, në mënyrë verbale, përfaqësuesit të subjektit të inspektimit, duke i dhënë mundësinë për të paraqitur pa vonesë komentet dhe shpjegimet përkatëse.

Vendimi i ndërmjetëm për marrjen e masës urgjente pasqyrohet në procesverbal dhe i njoftohet subjektit, pa vonesë, në mënyrë verbale. Një akt i shkruar me të njëjtën përmbajtje njoftohet brenda 24 orëve.

Vendimi i ndërmjetëm përfundon automatikisht me kalimin e afatit të parashikuar në të dhe, kur nuk është përcaktuar një afat i tillë, me:

a) njoftimin e revokimit të tij;

b) njoftimin e përfundimit të procedimit apo njoftimin e vendimit përfundimtar, që nuk konstaton shkelje të kërkesave ligjore;

c) skadimin e afatit për njoftimin e vendimit përfundimtar të inspektimit pa një vendim të tillë;

ç) njoftimin e vendimit të zgjidhjes së ankimit ndaj vendimit përfundimtar të inspektimit në rastin kur është bërë ankim;

d) skadimin e afatit për paraqitjen e ankimit administrativ ndaj vendimit përfundimtar pa bërë ankim;

dh) urdhërimin shprehimisht me vendim gjyqësor.

Vendimi i ndërmjetëm është me ekzekutim të menjëhershëm. Nëse nuk ekzekutohet vullnetarisht, pa vonesë, nga subjekti i inspektimit apo nëse ai bën të ditur ose nga rrethanat rezulton se nuk do ta ekzekutojë vendimin, vendimi ekzekutohet menjëherë nga inspektorati përkatës me shpenzimet e subjektit të inspektimit, të cilat pasqyrohen në vendimin përfundimtar apo në një akt të veçantë.

Masat urgjente mund të merren deri në çastin e marrjes së vendimit përfundimtar.

Kundër vendimit të masës urgjente, subjekti i interesuar ka të drejtën e ankimit të veçantë, sipas nenit 44 të këtij ligji.

(Ndryshimi)

“Neni 35

Masa urgjente

Inspektori i punës vendos masën urgjente, në përputhje me ligjin për inspektimin,:

a) në rastet e konstatimit të punësimit informal;

b) në rast se vazhdimi i aktivitetit përbën rrezikshmëri të menjëhershme, të rëndë, të paevitueshme për sigurinë e shëndetin e punëmarrësve dhe është i nevojshëm evakuimi i tyre nga vendi i punës.

Marrja e masës urgjente ose vendosja e saj si dënim plotësues bëhet në përputhje me ligjin për inspektimin.

Ankimi ndaj vendosjes së masës urgjente bëhet në përputhje me ligjin për inspektimin.”.

/MONITOR/