* Për të gjithë të apasionuarit e librit, "Durrës Lajm" sjell titujt e rinj që mund të gjeni në libraritë e qytetit.
"E vetmja dashuri"- Laurence Plazenet
Zonjusha d’Albreht humbet nënën në moshë fare të re dhe i ati e rrit në një mjedis të rreptë, pa shfaqur kurrë haptas ngrohtësinë ndaj saj, ndërkohë që fshehtas e llaston me dhurata. Ajo është vetëm 15 vjeçe kur njihet me zotin Ramon, mësuesin e saj privat, një burrë i mistershëm që i zgjon vajzës drithërimat e para shpirtërore dhe fizike. Ajo bie dëshpërimisht në dashuri me të dhe ëndërron një përjetësi që nuk i përket kësaj bote. Ai është burrë i pjekur, serioz dhe i lirë, ndërsa ajo është pothuajse fëmijë, e re dhe pa përvojë. Të ndarë, por ngaherë bashkë shpirtërisht, zonjusha d’Albreht dhe zoti Ramon do të përndjekin njëri-tjetrin përgjithmonë: nëpër libra, ëndrra, vetmi, heshtje dhe vdekje. Gjithë historia e tyre, që nga flaka e parë e dashurisë e deri në shuarje, kthehet në emblemë të paragjykimeve shoqërore, frikës dhe ndrydhjes shpirtërore e fizike që shkaktojnë ato. Heroina jonë është ndëshkuesja më e lartë e vetvetes, ajo mendon se nuk ka kurrfarë merite, duke na kujtuar edhe njëherë se ç’pasoja mund të sjellë vështrimi ynë gjykues dhe kritikues ndaj dashurisë jokonvencionale të një gruaje.
"Fjalimet që ndryshuan botën"
A janë vallë në gjendje fjalët ta ndryshojnë botën?antologji të famshme me 50 ndër fjalimet më të njohura në historinë botërore, nga kohë e vende të ndryshme, bindesh që po. Bëhet fjalë për fjalime që, sado të ndryshme, kanë shënjuar (për mirë a për keq) rrjedhën historike të kohës së vet, si dhe historinë e mëpasme shpirtërore, morale e politike të njerëzimit, duke formësuar botën në të cilën jetojmë ne sot.
Autorë të tyre janë disa prej figurave më të njohura në historinë e 2000 vjetëve të fundit: profetë, politikanë, rebelë e tiranë, prijës e burra shteti, që nga Jezusi i Nazaretit te Profeti Muhamed, nga mbreti Çarli I te Oliver Kromuelli; nga Xhorxh Uashingtoni e Abraham Linkolni, te presidenti Uillson, Lenini, Ruzvelti, Çurçilli, Hitleri e Stalini; nga Gandi te perandori Hirohito; nga fjalimi i famshëm i Khrushovit në Kongresin e XX-të P.K. të BRSS, te fjalimet e Kenedit. Për të përfunduar me fjalimet e Martin Luther Kingut, Nelson Mandelës, Papa Gjon Palit II, Gorbaçovit, Elie Wieselit, Vaclav Havelit, te Xhorxh W. Bush, Barak Obama e shumë të tjerë.
"Ana Bolena. Një çështje familjare"- Hilary Mantel
Pas “Sallës së ujqërve”, një roman që tregon origjinën e Anglisë moderne përmes syve të Tomas Kromuellit, kësaj figure kaq të diskutuar, kjo pjesë e dytë e veprës që u kushtohet Tudorëve, nis më 1535, kur Sekretari i Shtetit i Henrit VIII është në kulmin e pushtetit. Fati i tij ka shkuar përkrah atij të Ana Bolenës, bashkëshortes së dytë të mbretit, për hir të së cilës mbreti i dha fund marrëdhënies me Kishën e Romës dhe themeloi Kishën Anglikane. Por politika e Oborrit mbretëror e shtyn Anglinë në një izolim të rrezikshëm dhe Ana nuk e mban dot premtimin: ajo nuk i jep mbretit një djalë që do të siguronte trashëgiminë e Tudorëve. Kurora është e dobët dhe kur Kromuelli e ndihmon mbretin për t’u afruar e për të krijuar një marrëdhënie dashurie me Xhejn Sejmurin e qetë dhe të tërhequr, fundi i martesës me Ana Bolenën është i sigurt. Ndërsa i çel rrugën mbretit përmes skandaleve seksuale të oborrit, Sekretarit të Shtetit i duhet të merret edhe me versionin zyrtar të komplotit të Anës, për të kënaqur Henrin, por edhe me sigurimin e karrierës së tij, për të ruajtur përgjithmonë pushtetin dhe kurorën. Por askush, as Tomasi, as vetë sunduesi nuk do të dalin të pacenuar nga teatri tragjik i ditëve të fundit të jetës së Anës, mbretëreshës, e cila shkon përpara trekëmbëshit me guxim dhe solemnitet, duke përmbytur në gjak historinë angleze.
Ana Bolena, një çështje familjare është një afresk i fuqishëm historik, emocionues dhe aventuresk dhe një dëshmi shumë e lartë letrare që na rikthen në të kaluarën në ngjyrat e saj më të gjalla dhe e bën atë vitale.
R.O.