Agjencia e lajmeve Ansa ka bërë të ditur se është lënë i lirë vrasësi serial Andrea Matteucci, 54-vjeç. Ai ka shlyer dënimin e tij dhe tani është lënë i lirë.
54-vjeçari është mbajtur i burgosur në spitalin psikiatrik të Reggio Emilia-s dhe tashmë me shumë mundësi do të kthehet në Valle d’Aosta, ku do të vendoset në një qendër shëndetësore.
Kush është Andrea Matteucci
I akuzuar se ka vrarë një tregtar në Aosta në vitin 1980 dhe tre prostituta mes viteve 1992 dhe 1995, Matteucci u cilësua me probleme mendore nga një ekspertizë e prokurorisë.
Viktima e parë ishte Domenico Raso, 50 vjeç, tregtar frutash dhe perimesh. Ai u godit me thikë mes rrënojave të Teatrit të Lashtë Romak në Aosta, natën e 30 prillit 1980. Katër të rinj u burgosën për këtë vrasje, por më pas u liruan nga Apeli.
Vrasësi i vërtetë ishte muratori Andrea Matteucci, i cili më pas ekzekutoi edhe tre gra: në vitin 1992 Daniela Zago-n, 30 vjeçe nga Torino; në 1994-ën Clara Omarei Bee-n, 26 vjeçe nigeriane dhe në vitin 1995 Albana Dakovi, 20 vjeçe, shqiptare.
Ato u vranë dhe u dogjën. “I vrava se shisnin dashurinë”, u tha hetuesve vrasësi.