Një lokal i ri është hapur në Durrës në bulevardin “Dyrrah”. Iniciativat private janë gjithmonë për t’u përshendetur e për t‘u vlerësuar nga të gjithë strukturat e shtetit por edhe nga qytetarët, deri në atë moment kur  këto iniciativa respektojnë të gjithë rregullat dhe ligjet në fuqi.

Fenomeni i abuzimit me pronën publike është shembulli konkret në këtë rrugë nga sipërmarrësi.

Përpara lokalit gjenden vizat e bardha, pra sinjalistika rrugore vertikale e cila ndihmon qytetarët të kalojnë rrugën.

Vizat e bardha presupozojnë që kalimi i qytetarëve është i sigurt dhe i lirë në shërbim të tyre. Por pikërisht këtu nis edhe absurdi i madh sipas qytetarëve durrsakë, që ndeshen ditë për ditë me këtë fenomen.

Rruga e qytetarëve është e ndërprerë me shufra hekuri, të njëllojta me ato që vendosen për bllokimn e rrugës së kalimit, dhe janë vendosur po kështu edhe parmakë llamarine deri në një metër të larta, për të bërë kufizimin e rrugës me vendet e tavolinave të lokalit.

Ku duhet të kalojnë qytetarët? Shqetësimi është ngritur gjerësisht këto ditë nga shumë qytetarë që kalojnë aty, por ndoshta këtë nuk e kanë parë zyrtarët e shërbimeve publike në bashkinë e Durrësit. A ka leje subjekti për të bllokuar rrugën e qytetarëve? Kush ka firmosur në bashki, për të bërë këto ndërhyrje, që në bazë të Kodit Rrugor janë të paligjshme, ndërkohë që bëhen tek vizat e bardha të këmbësorëve?

"Konkretisht lokali i hapur në qendër, ka leje për të vendosur tavolina dhe karrige jashtë", bëjnë me dije burimet zyrtare nga bashkia e Durrësit.

Por për ndërhyrjert e kryera nëse ka apo jo leje, dhe nga kush strukturë është miratuar kjo leje, burimet zyrtare të bashkisë bënë me dije se do të sqarojnë në ditët në vijim publikun, për ankesat e tyre.