Zoran Zaev, kreu i partisë kryesore opozitare në Maqedoni, Bashkimi Social Demokrat, pritet të marrë një mandat për formimin e qeverisë së re të hënën, pasi mori mbështetje nga 67 deputetë të parlamentit me 120 deputetë.

Gjatë fundjavës, Zaev tha së më në fund kishte marrë mbështetjen nga dhjetë deputetë të partisë kryesore etnike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim, BDI dhe nga dy parti më të vogla shqiptare, Besa dhe Aleanca për Shqiptarët.

Nuk është ende e qartë megjithatë, nëse partitë shqiptare do t’i bashkohen koalicionit të ri qeveritar të drejtuar nga Zaev apo vetëm do të ofrojnë mbështetjen për një qeveri të pakicës. BDI tha se do ta vendosë këtë çështje në ditët në vazhdim.

Zaev, partia e të cilit ka 49 deputetë, fitoi mbështetjen e partive shqiptare pasi ra dakord me kërkesën e tyre për një ligj të ri të shtrirjes së shqipes nëpër të gjithë Maqedoninë.

Aktualisht shqipja është gjuhë zyrtare vetëm në ato zona ku shqiptarët përbëjnë të paktën 20 për qind të popullatës.

BE dhe NATO gjatë fundjavës i ushtruan presion presidentit Ivanov t’ia japë mandatin Zaev sa më shpejt të ishte e mundur për t’i dhënë fund krizës së gjatë në vend.

“Teksa mjaftueshëm firma deputetësh janë mbledhur, presim për hapat e tjerë. Presim që tani presidenti t’ia japë mandatin për formimin e qeverisë kandidatit nga partitë që kanë mazhorancë në Asamble,” tha të shtunën komisionieri i BE për Zgjerimin, JOhannes Hahn.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg lëshoi një deklaratë të ngjashme të dielën.

“Pas një përpjekjeje për të formuar qeveri, është lajmëruar se sipas kërkesave specifike të presidentit, mjaftueshëm firma deputetësh janë mbledhur tashmë, pres që autoritetet në Shkup të përmbushin hapin tjetër të procesit demokratik”, tha Stoltenberg.

Mes akuzave nga partia më nacionaliste VMRO DPMNE e ish-kryeministrit Nikola Gruevski, se Zaev ka tradhtuar interesat kombëtare maqedonase duke i dhënë shumë lëshime shqiptarëve, BE dhe NATO nxitën të gjithë politikanët maqedonas të përmbahen gjatë kësaj periudhe të ndjeshme.

Partia e Gruevskit ndërkohë tha se do t’i rezistonte qeverisë së re dhe bëri thirrje për “mobilizim” të anëtarëve dhe mbështetësve të saj. Të dielën, partia mbajti protesta në disa qytete në vend dhe një tjetër protestë pritet të ndodhë sot në Shkup.

Gruevski tha të dielën se do të mbështeste edhe një qeveri të pakicës të udhëhequr nga rivali i tij Zoran Zaev, me kushtin që Zaev të mos respektojë marrëveshjet me partitë shqiptare të cilat sipas Gruevskit do të dëmtojnë interesat kombëtare.

Maqedonia nuk ka formuar ende një qeveri të re, që prej zgjedhjeve të përgjithshme më 11 dhjetor, të cilat përfunduan në rezultat të ngushtë mes VMRO DPMNE dhe LSDM.

Vonesa ka ndodhur kryesisht të shkak të pavendosmërisë së BDI për të vendosur se cilët do të mbështesë pas zgjedhjeve.

Partia, që ka qenë partnere në koalicion me VMRO DPMNE që nga 2008, tha se Gruevski më parë i pranoi të gjitha kushtet për qeverinë e re, të cilat ai tani pretendon se janë të papranueshme, por që ai nuk ra dakord me kërkesën e tyre për të zgjatur mandatin për Prokurorinë Speciale që investigon krimin në nivel të lartë.

Një tjetër kërkesë shqiptare – që ka shkaktuar shqetësim në Serbinë fqinje – ishte miratimi i një rezolute në parlament ku dënohet “gjenocidi kundër shqiptarëve në Maqedoni nga periudha 1912 deri në 1956”.

Gjatë kësaj periudhe, Mbretëria e Serbisë, që e kishte marrë Maqedoninë nga Perandoria Osmane në 1912, qeverisi vendin.

Gazeta serbe Informer gjatë fundjavës shkroi se Zaev i kishte thënë kolegëve të partisë se kjo ishte rënë dakord me BDI, duke e akuzuar atë se po e portretizonte Serbinë keq për t’u bërë kryeministër.

Në realitet, çështja për dënimin e gjenocidit nuk ka qenë në fokus në Maqedoni së fundmi dhe as Zaev dhe as partitë shqiptare nuk e kanë përmendur në dy javët e fundit.

BIRN