Pak ditë më parë, DurrësLajm raportoi ankesat e disa qytetarëve durrsakë në redaksinë tonë lidhur me OSHEE.
Por, duket se numri i të pakënaqurve me punën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe fushatave të tij në terren për të ndëshkuar debitorët, sa vjen e rritet në Durrës.
Në redaksinë e portalit DurrësLajm kanë ardhur sërish ankesa të reja të qyterarëve, të cilët shprehin indinjatën e tyre për mënyrën sesi i ndëshkon OSHEE, pavarësisht se kanë likujduar të gjitha faturat e energjisë ndër vite.
Ankesa më e fundit vjen nga një qytetar nga Durrësi, i cili pohon për DurrësLajm se i është ndërprerë energjia në shtëpinë në lagjen nr.13, pasi sipas punonjësve të OSHEE-së ai rezulton debitor në vitin 2012.
Qytetari në fjalë rrëfen se ka paraqitur pranë punonjësve të kompanisë librezën e plotësuar me të gjitha vitet e paguara, por është përballur me arbitraritetin e grupit që operon në terren, të cilët pavarësisht protestës së tij i kanë prerë energjinë.
Qytetari shprehet se punonjësit i kanë thënë se kanë urdhër për t’i prerë energjinë dhe problemin me pagesën e faturave duhet të shkojë ta zgjidhë pranë Zyrës së Kujdesit ndaj Klientit.
“Unë jam pagues i rregullt i energjisë”, deklaron qytetari, “dhe nuk arrij ta kuptoj këtë sjellje arrogante të punonjësve të shtetit. Pse duhet të penalizohem, kur librezën e kam të plotësuar me firmën dhe vulën përkatëse për çdo pagesë të kryer? OSHEE duhet ta zgjidhë më parë se ku qëndron problemi në sistemin e saj dhe jo të më presë mua energjinë dhe të më kërkojë të paguaj sërish një faturë 23.000 lekë të reja që e kam paguar që 4 vite më parë. Unë i kam paguar njëherë, s'kam pse i paguaj prapë se duan të mbushin arkën këta…”
Pranë Zyrës së Kujdesit ndaj Klientit në Durrës regjistrohen çdo ditë rradhë të gjata qytetarësh nga Durrësi që depozitojnë ankesat e tyre pranë Operatorit të Shpërndarjes.
Në rastet kur OSHEE ndëshkon debitorët ndaj kompanisë vlen për t’u përshendetur puna e stafit të kësaj kompanie, por në rastet kur qytetarët ndëshkohen për shkak të papërgjegjshmërisë në punë të faturistëve që mbifaturojnë kilovatë mbi vlerën e harxhuar apo nga përzgjedhjet selektive të grupeve që operojnë në terren që kërkojnë të realizojnë planin kush e mban përgjegjësinë???
M.P.