Shpërthimi i një tubi të ujit të pijshëm para Torrës, aty ku po bëhen gërmimet e sheshit “Veliera” në qytetin e Durrësit, ka sjellë reagimin e menjëhershëm të ndërrmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve.

Një grup pune i kësaj ndërmarrje prej mëngjesit të sotëm ka nisur punën për evidentimin e dëmit të shkaktuar, ndërsa vërehet se gropa e hapur disa metra për ndërtimin e këmbëve të “Velierës” është mbushur me ujë nga rrjedhjet e një nate më parë. Punëtorët kanë vënë pompa të fuqishme në punë për largimin e ujit dhe rinisjen e punimeve, ndërsa grupi i punës së Ujësjellës Kanalizimeve gjendet në terren, për të verifikuar vendin se ku ka ndodhur çarja e tubacionit.

Sektori Teknik i Ujësjellësit bëri me dije se është çarë një tub uji i cili zbriste nga bashkia në drejtim të Torrës Veneciane, në pjesën fundore të tij, gjatë punës që kanë kryer punëtorët e firmës. Por deri tani nuk ka patur ankesa nga banorët e zonës nga Torra deri në Kodër Vilë apo në Currila, për mungesë të ujit të pijshëm.

Aktualisht firma zbatuese e projektit 6 milionë dollarësh paraditen e sotme po gërmonte në krahë të Torrës Veneciane për të përfunduar betonizimin e rrugës dytësore, që do të lidhë rrugën tregtare me segmentin e Currilave dhe të Kodër Vilës.

K.H.