Nga Mila Ballhysa

Problemet me faturat e fryra të energjisë elektrike, me prerjen e energjisë pa njoftim paraprak kur abonenti është debitor, apo vonesat në rilidhjen e energjisë pasi është bërë pagesa nga konsumatori, janë disa nga shqetësimet që ngrenë qytetarët durrsakë që i drejtohen redaksisë së DurrësLajm.

Në denoncimet e tyre, shumë qytetarë ankohen për mbifaturimet e energjisë dhe kjo gjë ka qenë më e theksuar në dy muajt e fundit, kur Durrësi u godit nga vala e të ftohtit që mbërtheu vendin.

Megjithëse i drejtohen Zyrës së Kujdesit ndaj Klientit, përveç depozitimit të ankesës së tyre, qytetarët nuk gjejnë zgjidhje për problemin që parashtrojnë para punonjësve të OSHEE.

Edhe pse gabimi është i kësaj ndërmarrjeje, zgjidhja që i ofrohet qytetarit është pagimi i faturës, pasi kjo e fundit është regjistruar në sistem dhe nuk mund të anullohet.

Me pak fjalë, gabimin e punonjësit që vjen kontrollon sahatin e energjisë, apo të atij që hedh të dhënat në sistem duhet ta paguajë qytetari, pavarësisht se nuk i ka konsumuar kilovatët që i janë shënuar në faturë.

Madje një qytetar tjetër tregon se gjatë dy muajve nëntor dhe dhjetor vlera e faturës i ka ardhur si faturimi në verë, rreth 4.000 lekë të reja, ndërsa në janar vlera e faturës rritet në mënyrë alarmante, plot 30 mijë lekë të reja. Gabimi i faturistit që nuk vjen të shohë sahatin dhe i vë kilovatët e harxhuar veresie, i rëndon xhepit të qytetarit.

Por ndërsa rituali i sorrollatjeve të qytetarëve për të depozituar ankesat e tyre për këtë faturime është avaz i vjetër, që OSHEE me apo pa qëllim vazhdon të mos i japë zgjidhje tjetër përveçse pagimit të faturës së fryrë, i lartë është edhe numri i atyre qytetarëve që kur kthehen në shtëpi e gjejnë veten pa energji, sepse ajo i është ndërprerë.   

Një qytetar ankohet pranë DurrësLajm duke rrëfyer se pak ditë më parë është kthyer nga puna dhe ka konstatuar se nuk kishte energji në apartament. Pasi ka komunikuar me fqinjët ka kuptuar se energjia mungonte vetëm tek apartamenti i tij. Ai ka mësuar më pas nga administratori i pallatit se punonjës të OSHEE-së i kishin ndërprerë energjinë për shkak të një fature të papaguar muaj më parë.

I ndodhur në këto kushte, qytetari i është drejtuar Zyrës së Kujdesit ndaj Klientit për të rilidhur energjinë. Nga punonjësit ka mësuar se pa u paguar vlera e faturës, energjia nuk rilidhet. Por megjithëse ka bërë pagesën në moment, qytetari është detyruar ta kalojë natën në errësirë për shkak se asnjë nga elektriçistët nuk ka ardhur për të bërë rilidhjen, pasi kishte përfunduar orari zyrtar i punës.

“Por përse nuk më njoftuan disa ditë më parë për ndërprerjen e energjisë dhe unë të paguaja energjinë pa shkuar puna deri tek ndërprerja e saj” shtron pyetjen qytetari që ndihet i indinjuar nga dëmi i shkaktuar, plus që të nesërmen është detyruar të humbë ditën e punës në pritje të mbërritjes së elektriçistit.

Megjithëse propagandohet që nga momenti i pagesës së faturave të prapambetura, energjia rilidhet brenda një kohe shumë të shkurtër, realiteti me të cilin përballen abonentët e OSHEE në Durrës është krejt i kundërt.