Në një intervistë për një gazetë franceze, Ismail Kadare ka folur për Nobelin në letërsi, për Bob Dylan, për letërsinë si tiraninë e tij të zgjedhur, për Tiranën e tiranëve në komunizëm, për letërsinë si lumturia e të bërit diçka të ndaluar, për kafenetë si vendet e urryera të diktatorëve që nuk duan vende ku flitet në intimitet, për kafe “Florën” e kafe “Vjenën” e dikurshme, e po ashtu edhe për kafe “Rostand” dhe mëngjeset kur ulet të shkruajë aty, në tavolinën që tanimë e ka zënë një çift.
“Realizmi socialist pohonte se jeta e popullit është e mrekullueshme, por nuk është aspak”, thotë shkrimtari duke shkruar se “letërsia është një kërkesë e vazhdueshme, e pamëshirshme, tiranike, por një formë interesante e Tiranisë që e ke zgjedhur vetë”.
-E ke zakon të shkruash në rrëmujën e kafenesë dhe kjo nuk ju shqetëson?
Jo, është një lloj rituali. Vij në mëngjes në orën 10.00 kur është disi më qetë. Ulem atje tek ajo tavolina e zënë (aty është tani një çift të dashuruarish). Shkrimi në këtë orë është bërë diçka e natyrshme për mua, ose marr shënime. Në vendin tim s’mund ta bëj këtë, sepse atje jam shumë i njohur dhe kureshtja e njerëzve të shqetëson për të shkruar.
– Që prej 4 mijë vjetësh thuhej se më parë ishte akoma më mirë. Pas gjithë këtyre librave, për ju letërsia është akoma më e lehtë?
Jo, njëlloj, veçse dëshira është më e pakët. Shumë gjëra janë thënë. Puna e një shkrimtari është të kuptojë se çfarë duhet të ruajë nga shkrimet e tij dhe çfarë të heqë. Veç një pjesë e botës njerëzore është me interes për letërsinë. Pjesa më e madhe e jetës njerëzore s’ka interes për t’u shkruar. Realizmi socialist pohonte se jeta e popullit është e mrekullueshme, por nuk është aspak.
– Le t’u kthehemi kafeneve. Diktaturat i mbyllin baret…
Veçanërisht kafenetë. Diktaturat nuk kanë frikë nga baret, sepse aty ka shumë zhurmë. Diktatorët kanë frikë nga vendet ku flitet në intimitet. Kur u ktheva nga Moska, 22-vjeçar, u habita. Kishte vetëm bare ku pihej birrë. Në Shqipëri, para diktaturës kishte shumë bare me emra romantikë si “Flora”, kafe “Vjena”… Por ato u zhdukën njëra pas tjetrës. Diktatorët kërkojnë të japin përshtypje se janë njerëz me kulturë, e po kështu edhe Enver Hoxha, por s’ishte aspak kështu.
– Pra, letërsia juve ju merr gjithë jetën?
Është një kërkesë e vazhdueshme, e pamëshirshme, tiranike, por një formë interesante e tiranisë që e ke zgjedhur vetë.
– Letërsia nuk është si morali. A arrin ju ta përbuzni atë?
Jo aspak, dhe është e çuditshme. Ju mund të lodheni nga ajo, të keni frikë nga ajo, por jo ta përbuzni.
– Ju keni shkruar nën diktaturën e Enver Hoxhës. A ishte e vështirë të shkruaje?
Jo, madje ishe i lumtur të bëje diçka të ndaluar. Letërsia e vërtetë është diçka jo normale, diçka që krijon çrregullim. Pjesa e popullit që mbështet regjimin është kundër jush. Pjesa tjetër të mbështet dhe ti je midis të dyjave. Është një lumturi e madhe, e pakrahasueshme! Letërsia nuk është morali. Ajo është elitiste, jo demokrate. Është e kundërta e ëndrrës së Maos, i cili donte që në Kina të çudiste botën dhe të prodhonin një milion shkrimtarë. Kjo do ishte një katastrofë e madhe për botën. Letërsia është e padrejtë. Ajo nuk e njeh barazitizmin.
– Ti jepje nobelin Bob Dylan-it ishte vallë një gjë e mirë apo absurde?
As njëra e as tjetra. Diçka mes të dyjave. Unë jam shkrimtar dhe siç mund ta keni vënë re, unë kam pothuaj një ide religjioze për letërsinë. Ajo ka një formë përjetësie, që e kapërcen gjuhën në të cilën është shkruar. Greqishtja e vjetër ka vdekur, por Homeri lexohet edhe sot. Vallë duhet shkuar deri tek muzika? Letërsia s’ka nevojë. Vallë Bob Bylan në fund të fundit a e pranoi këtë çmim?
– Po, por pa shkuar në Stokholm që ta marrë.
(Kadare qesh)
– Çudi pse menduan për të?
Kjo mbetet mister. Por çmimi Nobel është diçka e bukur dhe shumë pozitiv. Ndjehem disi keq ndaj njerëzve të vendit tim, që më kritikojnë pse nuk e kam marrë. Si t’ua shpjegoj që kjo nuk varet nga unë…?
(Marrë nga gazeta ‘DNA’ – Lajmet e Reja të Alsasës. Përktheu “Gazeta Shqiptare”)