(Foto, autori i masakrës)
Policia e Shtetit ka dhënë detaje për masakrën e ndodhur mbrëmë vonë në Shkodër, si edhe ka publikuar foton e autorit të ngjarjes.
Ai është Miklovan Parubi, 33-vjeçar, i cili në një lokal në Dajç, pak para mesnatës së 4 tetorit, ka qëlluar me automatik kallashnikov dhe ka vrarë dy persona dhe ka plagosur katër të tjerë.
Pas këtij momenti, Miklovan Parubi është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Ai u shpall në kërkim nga policia vetëm pak minuta pasi kishte kryer krimin e rëndë.
Policia thotë se vrasja ka si motiv një konflikt banal mes autorit dhe personave që gjendeshin në lokal pas një loje pokeri.
Parubi njihet në zonë si person që konsumonte lëndë narkotike dhe që kishte çrregullime në sjellje.
Viktimat
Arjet Saiti 42 vjeç,
Gacalin Kopshti, 30 vjeç.
Të plagosur
Aleks Prendi, 40 vjeç,
Viçens Kopshti 26 vjeç,
Ndok Marku 35 vjeç,
Kitas Molla 26 vjeç.
Njoftimi i policisë:
Më datë 03.10.2016, rreth orës 22: 40, është marrë njoftim se në një lokal te kryqëzimi i Dajçit, Shkodër, ka të shtëna me armë zjarri.
Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet policore që kanë konstatuar se pas një konflikti për motive të dobëta (dyshohet gjatë një loje pokeri), shtetasi Miklovan Parubi, 33 vjeç, ka vrarë me armë zjarri shtetasit Arjet Saiti 42 vjeç dhe Gacalin Kopshti, 30 vjeç.
Gjithashtu ka plagosur edhe shtetasit A.P. 42 vjeç, N.M. 35 vjeç, V.K.22 vjeç dhe K.M. 26 vjeç, të cilët janë transportuar në spital për ndihmën e nevojshme mjekësore ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ky shtetas njihet në zonë si përdorues i lëndëve narkotike dhe probleme emocionale të pakontrolluara.
Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zonës në bashkëpunim me FNSH-në me qëllim kapjen e tij dhe vendosjen para përgjegjësisë penale.
Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Shërbimet e Komisariatit dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër së bashku me forcat FNSH janë në ndjekje të autorit.





