Pas disfatës së radhës të Teutës, zëvendëstrajneri i ekipit durrsak, Xhevahir Kapllani, ka pranuar se problemet aktuale të ekipit shihen qartësisht.

“Skuadra po kalon ngërç psikologjik, po mendoj që jemi ne që duhet të dalim nga kjo situatë shumë e vështirë’, tha ai.

“Me rikthimin e dy lojtarëve si Hoxha dhe Dita do të kthehen ekuilibrat në skuadër, besimi dhe gjallëria në luftën për të marrë rezultate aq shumë të nevojshme në këto momente”.

Sipas tij, problemi kryesor i  ekipit është në fazën e finalizimit, pasi pjesa tjetër e ekipit ecën sipas planit.

“Besoj se i keni parë ndeshjet e Teutës dhe na ka munguar finalizimi, pasi skuadra ka bërë gjithçka për të shkuar pranë portës kundërshtare, por i mungon finalizimi, siç ndodhi edhe dje. Filloi ndeshja 0-1 për Korabin, pastaj pësuam 0-2. Provuam të ktheheshim në ndeshje, po erdhi një gol nga hiçi dhe rezultati shkoi 1-3”, shpjegoi Kapllani.