Në krizë rezultatesh, pa asnjë fitore në pesë javë dhe e fundit në renditjen e Kategorisë Superiore, Teuta provoi të rikthente Gugash Maganin në krye të stolit. Menjëherë pas largimit të italianit Beggi, presidenti i skuadrës durrsake, Edmond Hasanbelliu i ofroi stolin trajnerit që skuadrës së edicionit të kaluar i siguroi një biletë në kupat e Europës.

Gugash Magani:”Unë kam një kontratë me Flamurtarin dhe gjatë gjithë kësaj kohe kam biseduar me drejtuesit e klubit. Me presidentin e Teutës jam edhe mik dhe oferta ishte e sinqertë, por të them të drejtën unë këmbëngul që të vazhdoj punën në stolin e Flamurtarit, pasi një largim të mundshëm të timin në këto momente do ta cilësoja si tradhëti. Unë nuk dorëzohem deri në fund”.

Edhe pse Magani këmbëngul deri në fund te projekti i nisur te Flamurtari, skuadra vlonjate ende nuk ka gjetur balancat në fushë dhe agresivitetin e shpirtin e garës që trajneri kërkon. Te kuqezinjtë, mungon ajo lidhje kimike që tekniku kishte me Teutën, duke e kthyer një skuadër në letër normale, në surprizën e edicionit të kaluar.