Gjyqtari i Gjykatës së Beratit, Shyqyri Çobo që u akuzua për korrupsion pasiv pasi i kërkoi një lidhje intime nëpërmjet mesazheve dhe telefonatave një gruaje, të cilën po e gjykonte në një proces civil për divorc, ka habitur edhe sot në seancën tek Krimet e Rënda.
Kjo gjykatë nuk ka mundur të zhvillojë seancën pasi Çobo kërkoi të njihej me të gjithë dosjen e Prokurorisë, ndërsa tha se: “ne kërkuam që të bënim ballafaqim me të dëmtuarën, ndërkohë që prokuroria të nesërmen çoi dosjen në gjyq”.
Gjyqtari Shyqyri Çobo u pezullua nga detyra me kërkesë të prokurorisë, pas hetimeve në bazë të kallëzimit nga shtetasja me inicialet I.T e cila ishte palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Ai ka pretenduar se prokuroria, me qëllim denigrimin e figurës së tij ka shtrembëruar kontekstet e mesazheve telefonike. Çështja për gjyqtarin do të gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe proçesi pritet të fillojë në muajin shtator.
Nga hetimi ka rezultuar se në seancën e parë të procesit, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i siguronte një avokat, ndërsa më pas i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”. Nga vëzhgimi i tabulateve telefonike, rezulton se gjyqtari Çobo i ka dërguar shpesh mesazhe dhe e ka telefonuar kallëzuesen rreth 300 herë, në një periudhë kohore prej 3 muajsh. Shtetasja I.T megjithëse e ka kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e frikesuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë. Në mesazhet e dërguara nga gjyqtari duket qartë tendenca e gjyqtarit ndaj 30 vjeçares.
Referuar kodit penal, gjyqtari Çobo nëse deklarohet fajtor nga gjykata rrezikon një dënim nga 3 deri në 10 vjet burg.
SMS 1- Përshëndetje! Gëzon të gjithë kredinë mirënjohëse nga ana ime. “Performanca” juaj më imponoi respekte, pse jo dhe ndjesi. A u sqarove me avokatin rekomandues. “Problemi” sinqerisht më diktoi keqardhje…Mos hezito me sms apo me tel…do të mirëpres. Respekte! Ok?
SMS 2 – “Përsa i përket çështjes të cilën natyrshëm Ti e ke “gangrenë” sinqerisht do kesh suport gjithë “kredinë” time juridike ..! Ok ?? Së dyti në kondicionin social në perceptimin tim aktualisht je “skanuar” femër (mami) tepër bashkëkohore potente plot vizion… Ky është dhe “motivi” imponues i imi që ti të jesh mikesha ime konseguente. Nuk dua të gjykoj se ti je një zonjë provinciale me mendësi fshatareske.. Fundja në CV-in tënde je dikush..Shpresoj mirëkuptimin tuaj..! Ok??”.
SMS 3- Të këshilloj tepër miqësisht që në konceptin apo në filozofinë perceptuese mos reflekto mendësi fshatareske të natyrës provinciale duke u munduar të tregosh moral, koha ka evoluar, ndaj duhet të jesh më elokuente me veten dhe në shoqëri, OK?
SMS 4- “Zogu” – do më vinte mirë të të thërrisja kështu se si “zogë” je! OK??
SMS 5- Është e vërtetë që je “Tip i vështirë” në raportin komunikues, por “Tip inteligjente” me performancë femërore tepër perfekte.. Ke vlera në vetvete! Të respektoj dhe nuk dua të të humbas ! Ok ?
SMS 6- …. “Mirëmëngjes”!! Po të shkruaj shpejt. Zgjohem në orën 04:00 dhe ora 05:30 nisem për në punë. Unë gjykoj se ti duhet të njohësh madje dhe të administrosh vlerat të cilat s’të mungojnë.. Ti gëzon simpati, inteligjencë dhe një komunikim tepër komplimentar. Je tepër femërore. Për këtë shkak duhet të jesh KRENARE! Respekte.
SMS 7 – “Psikoanalisti austriak Sesil Frojd shkruan se ‘kur je i martuar dhe ke një te dashur ky është komoditet, nëse i dashuri është dikushi atëherë ky është luks ”.
SMS 8 – Uroj që në “Raportim” komunikues midis nesh do gëzosh mirëkuptimin tim..gjykoj se duhet të evitosh druajtjen…! Me vlerëso konfidencial dhe si “Mike” të hershme, do të mirëkuptoj..,Ok??
SMS 9- Brishtësia e performancës tënde më krijoi mirënjohje..këtë fundjavë do të jem në Malin e Zi. Komunikimi me ty, objektivisht është kënaqësia..telefonata apo sms e tua nuk më shkaktojnë bezdi, përkundrazi i mirëpres..je shumë e këndshme..të adhuroj..më mirëkupto. Ok.! /BalkanWeb/





