Xhaxha dhe nip, 57 e 22 vjeç, janë arrestuar nga policia e Matit pas një sherri me pronarët e një lokali dhe kundërshtimit të punonjësve të policisë.
Dy të akuzuarit, Martin Rica dhe nipi i tij Gjok Rica, nuk janë emra të panjohur për policinë, pasi rezultojnë të jenë të dënuar për vjedhje me armë dhe plagosje.
“Më datë 02.10.2016, rreth orës 16.30, shërbimet e policisë të Komisariatit të Policisë Mat pas një njoftimi të marrë se në qytetin Ulëz, tek një lokal, dy shtetas po konfliktohen me pronarët e lokalit duke sjellë shqetesime në lokal edhe për klientët, menjëherë kanë shkuar në vendngjarje.
Shërbimet e Policisë pasi kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit, iu kanë komunikuar dy shtetasve të cilët po konfliktoheshin me pronarët e lokalit, se duhet të shoqëroheshin në Komisariatin e Policisë Mat për sqarimin e rrethanave të konfliktit. (konflikt për arsye banale)”, thuhet në njoftimin e policisë.
Sipas të dhënave, Martin Rica në bashkëpunim me nipin i kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e policisë për të mos lejuar shoqërimin e tyre, por punonjësit e policisë kanë bërë të mundur shoqërimin e këtyre dy personave në Komisariatin e Policisë Mat për veprime të mëtejshme procedurale, ku në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i tyre në flagrancë.





