Policia e Pogradecit ka proceduar penalisht një mjek pediatër për veprën penale “Mjekimi i pakujdesshëm”, pasi dje në Maternitetin e Pogradecit, ka ndërruar jetë një foshnjë dy-ditëshe e gjinisë mashkull.
Specialistët e Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Pogradec, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit N.E, 52 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë mjek pediatër për fëmijët e porsalindur.
Babai i foshnjës, shtetasi A.H, 33 vjeç, banues në fshatin Buzaishte, pretendon se vdekja e të sapolindurit ka ardhur si pasojë e mjekimit të pakujdesshëm nga ana e mjekut.
Policia thotë se “nga këqyrja e jashtme e kufomës nuk dallohen shenja ose probleme, ndërkohë pritet kryerja e autopsisë ditën e sotme, nga ekspertë të Institutit të Mjekësisë Ligjore Tiranë”.
Policia po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.





