Tottenham konfirmohet pretendente për titullin edhe në këtë sezon të Premier League, duke mposhtur 2-0 Manchester City-n në White Hart Lane. Një sukses i shkëlqyer për Spurs, që i dhanë fund ecurisë pa humbje të Pep Guardiolës, me citizens që deri më tani në 11 ndeshje kishin regjistruar 10 fitore dhe një barazim. Tekniku katalan ishte vetëm një fitore larg startit më të mirë për një trajner në historinë e futbollit anglez, por Tottenham u shfaq i pandalshëm.

Skuadra e Mauricio Pochettinos kaloi në avantazh me autogolin e Kolarov, pas vetëm 9 minutave lojë. Goli i dytë për londinezët u realizua përpara pushimit ndërmjet pjesëve, pas një kombinimi fantastik ndërmjet Dele Alli dhe Son Heung-min.Me qetësi olimpike mesfushori 20-vjeçar mposhti portierin Claudio Bravo. Tottenham mund të kishte realizuar edhe golin e tretë, me Erik Lamela që shpërdoroi mundësinë në minutën e 65-të, duke këmbëngulur ta kryente ekzekutimin përpara Eriksen.Fatmirësisht për Spurs, ai episod nuk ndikoi në ecurinë e ndeshjes, me Manchester City që dukej i paqartë dhe i pafuqishëm për të reaguar. Pavarësisht disfatës së parë sezonale, të besuarit e Pep Guardiolës mbeten në krye të Premier League, por tashmë Tottenham ndodhet vetëm një pikë larg, me skuadrën e Pochettinos që mbetet ende e pathyer në kampionatin anglez.