Korabi surprizon Teutën në shtëpinë e saj, fiton 2-3 në “Niko Dovana”, në një sfidë emocionuese që dhuroi gjithcka, luftë të fortë sportive, gola dhe kartonë të kuq. Tjetër zhgënjim ky për ekip durrsak, që renditet në fundin e tabelës me vetëm  2 pikë nga 15 të mundshme, me situatën që mbetet e ndërlikuar edhe pas largimit të trajnerit Beggi. Vlen të përmendet fakti se si Teuta ashtu dhe Korabi nuk kishin mundur ta gjenin rrugën e rrjetës në katër javët e para, për të shpërthyer pikërisht në këtë përballje, në fund të së cilës festuan miqtë. Korabit i mjaftuan vetëm 30 sekonda lojë për të zhbllokuar sfidën. Nako thuasje nga mesfusha asiston Plakun, i cili përfiton nga pasiguria e Shkallës për të shënuar lehtësisht pasi shmang edhe Mockën.Vendasit e kanë të vështirë t’u besojnë syve, pasi praktikisht e nisën ndeshje me një gol të pësuar.Teuta u mundua të kundërpërgjigjjej shpejt, por ishte e paqartë në lojën e saj sulmuese. Për minuta të tëra pati ndërprerje të shumta të lojës, me duele të forta në mesfushë derisa erdhi minuta e 30- të. Goditje e lirë për Korabin, me Veliajn që kthen topin me kokë për Nexhipin, gjuajtja e të cilit e kapi të papërgatitur portierin Mocka. Rasti i parë i rrezikshëm i Teutës u shënua në të 39-ën, por tentativa e Gripshit i asistuar nga Musta ishte për t’u harruar. Rrjedha e ndeshjes ndryshoi në minutën e 40-të, pasi Arjan Sheta u detyrua të braktiste fushën i ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë. Më një lojtar më shumë në fushë Teuta i afrohet me lehtësi portës së Korabit, si në minutën e 43-të kur tentativa e Gripshit u kontrollua lehtësisht nga Vujadinovic. Kur pritej vërshëllima e gjyqtarit për përfundimin e pjesës së parë Teuta përfitoi nga një gabim i Nexhipit në mesfushë për të përmbyllur me golin e Cmajcamin një kundërsulm të shpejtë.Pjesa e parë mbyllet me një gol të Artur Maganit u anulluar për pozicion jashtë loje të Kotobellit. Në fraksionin e dytë Teuta jo vetëm që nuk përfitoi nga superioriteti numerik, por u ndëshkua për herë të tretë në minutën e 73-të nga Ervis Kaja, që përfitoi nga këmbëngulja e Zefit në krahun e djathtë. Pak çaste më pas sikur të mos mjaftonte rezultati në disfavor të vendasve, Lamçe u ndëshkua me karton të kuq, duke i barazuar forcat në fushë.Gjithsesi ndeshja rihapet nga një supergol i Blerim Kotobellit, që me një gjuajtje kross e la të palëvizuar portierin Vujadonovic. Teuta tentoi për gjithçka në minutat e fundit, por nuk mundi të gjente një tjetër gol për të shmangur humbjen e tretë në pesë ndeshjet e para të kampionatit. Për Korabin kjo ishte fitorja e parë në Superiore, që e ngjit skuadrën e Mërgjyshit në vendin e shtatë në kuotën e 5 pikëve.