Mbi 2 milionë euro po investohen në kalatën numër 7 dhe 8 në portin e Durrësit, në krah të terminalit të trageteve. Këto kalata janë parashikuar për ankorimin e kroçrave turistike.
Fillimisht për zbatimin e këtij projekti u kërkuan 14 milionë euro, por përfundimisht punimet u tenderuan për vlerën 2 milionë e 68 mijë euro.
Kalatat 7 dhe 8 të portit të Durrësit do të vihen shumë shpejt në dispozicion të ankorimit të anijeve turistike dhe kroçerave. Tashmë kompania kontraktuese “ Lucatelli S.r.l” po vijon punën për rikonstruksionin e dëmeve dhe defekteve të kësaj kalate, të cilat u konstatuan më parë nga një kompani prestigjoze ndërkombëtare. Rikonstruksioni i këtyre kalatave kryhet pas dy marrëveshjeve financiare të vitit 2007, me BERZH dhe BEI të ratifikuara në Kuvendin e Shqipërisë, të i dhanë një rëndësi të veçantë zhvillimit strategjik të portit të Durrësit. Sipas vlerësimit të kompanisë së specializuar “N – Shore Diving” kompania supervizore, rikonstruksioni i defekteve dhe dëmeve garanton jetëgjatësinë e strukturës së këtyre kalatave. Kjo mundësoi reduktimin e vlerës së investimit, në vetëm 12 % të vlerës së parashikuar në marrëveshjet financiare të vitit 2007, nga 14 në 2 milionë euro. Punimet që nisën në 5 maj të këtij vitit priten të mbyllen në 22 tetor, nga kompania italiane nëkontraktore "Lucatelli srl" e cila po kryen këto punime.
Punimet konsistojnë në riparimin e defekteve të konstatuara në survejimin nënujor të realizuar në mars 2013. Gjatësia e kalatës është 410 m, ndërsa lartësia e palankolave metalike është nga 9-10 m si dhe bankina 3m.
Autoriteti Portual Durrës në bashkëpunim me Qeverinë Shqiptare, i kanë kushtuar një rëndësi të veçantë sektorit të turizmit dhe rikonstruksioni i kalatave 7 dhe 8 do të mundësojë rritjen e numrit të kroçerave turistike në portin më të madh të vendit.
K.H.





