Një 27- vjeçar ka menduar se do të shpëtojë nga gjoba e vënë nga polici për drejtim automjeti nën ndikimin e alkolit. Ai i ka zgjatur efektivit të policisë rrugore 2 mijë lekë të reja, por gjërat nuk kanë shkuar mirë për të. Polici jo vetëm që nuk ka marrë shumën e ofruar nga drejtuesi i automjetit, por e ka arrestuar në flagrancë për “mitdhënie”.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, arrestuan në flagrancë 27-vjeçarin Emiljano Dervishi, banues në Tiranë.

Dervishi ndërsa ka qenë duke udhëtuar me mjetin tip “Volksëagen”, me targë AA 787 NO është ndaluar nga policia tek mbikalimi i Liqenit Artificial, ku i ka ofruar 2.000 lekë punonjësit të policisë së qarkullimit rrugor për ta falur për shkeljen e bërë, për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit.

Efektivi i rrugores ka njoftuar më pas kolegët që kanë bërë arrestimin e 27-vjeçarit me akuzën për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.