Kësaj pyetje duhet ti japin përgjigje të gjithë strukturat që mbajnë përgjegjësi për automjetet e sekuestruara nga policia dhe dogana për arsye të ndryshme në kohë të ndryshme.

Brenda territorit të doganës dhe rrethimit prej hekurash gjenden një numër i madh automjetesh të ndryshme, të markave, tipave, dhe viteve të ndryshme të prodhimit. Burimet nga porti pohojnë se janë automjetet e sekuestruara nga policia kufitare, pas sekuestrimit të lëndëve narkotike, por edhe automjete të bllokuara për shkaqe si mungesë dokumentacioni, mund të kenë rezultuar të vjedhura në Europë etj.

Absurdi qëndron në faktin se këto mjete të cilat janë bllokuar apo sekuestruar nga autoritetet në port, janë vjedhur e janë shqyer, ndërsa qëndrojnë po aty, në kufirin më skajor të doganës, pranë terminalit të kontejnerëve.  Me sy të lirë duket se makinave u janë vjedhur jo vetëm gomat, sediljet, dhe pjesët e ndryshme, por ato janë “zhvatur” në mënyrë të pariparueshme.

Çdo pjesë e territorit të portit të Durrësit është e survejuar me kamera e rezolucion të lartë. Është salla operative e Forcës së sigurisë portuale e cila monitoron dhe vëzhgon 24 orë në ditë, çdo pjesë të këtij porti. Por nëse vidhen dhe shqyhen në mënyrë të pariparueshme mjetet brenda rrethimit të doganës dhe policisë, çfarë mund të ndodhe jashtë rrethimit?

Përgjegjësit që bëjnë të tilla vjedhje janë vetëm ata persona që kanë akses për të hyrë në këto territore të super kontrolluara prej tyre, edhe prej kamerave.

E si të mos mjaftonte vjedhja që po u bëhet mjeteve, këto mjete të dëmtuara po e kthejnë në një varrezë masive portin e Durrësit.

K.H.