Një tjetër operacion antitrafik i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe Guardia di Finanza-s është zhvilluar pasditen e djeshme, kur është finalizuar në mbrëmje pas 6 orë ndjekjeje në det, duke sekuestruar afro gjysmë ton kanabis dhe duke vënë në pranga dy shtetas italianë.
Rreth orës 12:50, QNOD (Qendra Ndërkombëtare Operacionale Detare në Durrës), ka njoftuar për një mjet që lëvizte me shpejtësi nga perëndimi në drejtim të kepit të Rodonit.
Menjëherë u vunë në lëvizje mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe Migracionit, të GdF dhe u njoftua INTERFORCA.
Ndjekja nga Policia Kufitare dhe GdF vazhdoi deri në ujërat ndërkombëtarë.
Në këtë kohë, mjetet aeronautike dhe detare italiane të GdF-së hynë në veprim dhe rreth orës 19.00 në momentin e hyrjes në ujërat italiane, u identifikua dhe u ndalua mjeti i lundrimit me dy persona në bord dhe me ngarkesën me lëndë narkotike prej 533.5 kilogramë.
Drejtuesit e mjetit ishin dy shtetas italianë A.M, 38 vjeç dhe A.C, 60 vjeç, te dy nga Brindisi.
GdF ndaloi dy skafistët dhe sekuestroi ngarkesën me kanabis.





