Drejtori i Spitalit të Kavajës, Përparim Daiu ka reaguar me nota të ashpra ndaj deputetit të PS-së, Parid Cara.

Në një status në “Facebook”, Cara shkruante sot se Daiu mbush xhepat duke rrezikuar jetët e qytetarëve dhe i kërkonte ministrit Beqaj inspektim për rastin e një fëmije që ra në koma duke u transportuar për në Durrës pas një aksidenti në Kavajë.

Daiu sqaron gjithë situatën në të cilën i mituri është paraqitur në ambientet spitalore, dhe thotë se është gati të përballet edhe me Prokurorinë për rastin në fjalë.

Mandej, ai e cilëson Carën si një ish-mik që pështyn aty ku ha pasi dikur kanë qenë miq.

REAGIMI I PLOTË:

Më duhet të bëj një sqarim nisur nga denoncimi totalisht i pavërtetë që bëri para pak orësh deputeti në emigrim z.Cara për sa i përket një ngjarjeje që ka ndodhur në spitalin që drejtoj.

L. Maliqati, 13 vjeç është paraqitur ne urgjencën e spitalit Kavajë në orën 15-45 në gjendje kome pas aksidentit automobilistik.

Mjekët, pasi ndoqën me shqetësim gjendjen e tij e nisën drejt spitalit të Durrësit duke e shoqëruar me personel mjekësor, të pranishëm, zotin Mema dhe me oksigjen të nevojshëm.

Kjo procedurë mund të vërtetohet lehtësisht nëse shikoni regjistrin 97-01 ku janë mbajtur të dhënat.

Pas mbërritjes në Durrës, nga mjekët atje u pa e nevojshme që fëmija të marrë trajtim të specializuar në kryeqytet ku është edhe në këto momente që flasim në gjendje kome.

Pres me ankth sesi do shkojë gjendja e tij dhe uroj të jetë sa më shpejt mes familjarëve.

Më vjen shumë keq që jeta e një fëmije, bëhet kalë beteje nga një deputet që flet për korrupsion, flet për zonën e tij që ka 4 vite që nuk është prezent.

Ti z.Cara me ke propozuar personalisht mua në disa institucione, sot u kujtove ti që je bo gati me ndërruar parti?

Jam një njeri i nderuar kam dhenë kontributin tim në komunitet dhe familjarisht jam biri i Xhavit Daiut, Nderi Kombit i shpallur nga Presidenti i Republikës dhe Qytetar Nderi në Kavajë për kontributet e tij.

Ti biri kujt je qe flet për korrupsion, thuaj babait tënd t’u kthejë lekët njerëzve që i ka marrë për punësim dhe legalizim, nëse do të jap emra.

Në fund të fjalës sime do doja të të thosha ty kalama deputet, që jam gati të përballem që tani me çdo kontroll të mundshëm nga ministria, prokuroria etj.

Si një ish-mik, të sugjeroj të vish ta bësh politikën këtu ku të votuam, jo nga “Facebook”-u se nuk zgjidhen hallet e qytetarëve me statuset e tua dhe postimet e luksit nëpër stadiumet e Europës.

Foto me poshtë nga kohët kur deputeti hante në një pjatë me ne, ndërsa sot e pështyu ushqimin.