4 fitore në 4 ndeshjet e fundit të kampionatit, kjo është ecuria e Liverpool që sot ka mundur me rezultatin 2-1 Swansea-n në transfertë. Ka qenë një sukses i vuajtur dhe i merituar për skuadrën e Klopp që tani është ngjitur përkohësisht në vendin e dytë të Premier League, në kuotën e 16 pikëve, vetëm dy larg Manchester City-it kryesues që do të zhvillojë nesër një ndeshje të vështirë në fushën e Tottenham.
Liverpool ka dominuar pjesën e parë për sa i takon zotërimit të topit, por ka qenë një zotërim shterpë, duke parë se miqtë nuk kanë goditur asnjëherë portën, teksa Swansea ka goditur tri herë kuadratin dhe në një prej këtyre tentativave ka ardhur goli që ka zhbllokuar takimin dhe që ka kaluar në avantazh skuadrën e Guidolin.
Autori ka qenë holandezi Fer (4 gola për të në këtë kampionat), i cili ka realizuar në minutën e 8-të pas zhvillimeve të një goditjeje nga këndi. Edhe këtë herë mbrojtja e “Të Kuqve” nuk ka qenë pa faj, duke parë se mesfushori ka qenë i vetëm para portës së boshatisur. Në minutën e 54-t ka ardhur barazimi i lojtarëve të Klopp, me Firmino që ka realizuar golin e tij të tretë në këtë kampionat, pas një asisti të saktë nga Henderson.
Pas këtij momenti miqtë kanë shtuar rimtin dhe presionin ndaj kundërshtarëve, të cilët janë mbyllur në mesfushën e tyre dhe janë munduar të kundërpërgjigjen me kundërsulm. Në minutën e 82-të Firmino ka qenë përsëri protagonist duke fituar një penallti, që është transformuar në gol nga i pagabueshmi Milner në minutën e 84-t, me ish-mesfushorin e kombëtares angleze që ka shënuar 4 gola në këtë kampionat, të gjithë me penallti. Rezultati ka mbetur i pandryshuar deri në fund të ndeshjes, teksa “Të Kuqtë” kanë marrë një tjetër fitore të rëndësishme në kampionat.





