Agron Duka kreu i Partisë Agrare Ambientaliste i ka paraqitur Lulzim Bashës, kandidaturën për kreun e bashkisë së Ersekës, pas ndarjes nga jeta në mënyrë të parakohshme të kryebashkiakut Arben Malo. Kandidatura e propozuar nga Duka është Dritan Hajro, vëllai i ish-deputetit socialist të Kolonjës, Sokol Hajro.
Në një prononcim për mediat, kreu i PAA-së deklaroi se ka bërë negociata me lidershipin e PD-së zotin Lulzim Bssha.
“Jemi drejt konkludimit të kësaj kandidature. Është ai që vendos. Kandidatura është përfundimtare kur regjistrohet në KQZ”.
Duka tha se është në koalicion me të djathtën dhe për këtë qëllim i ka propozuar kandidatin Bashës.
“Kandidatura është e PAA-së. Brenda partisë tonë ka njerëz me vlera ideologjike të majtë e të djathtë. Ne kemi përzgjedhur individin. Fokusi i PAA-së është bujqësia dhe ne menduam që të shpalosim kandidaturën tone në këtë zonë rurale, me një kandidat të zonës. Zgjedhjet vendore janë specifike, nuk është e rëndësishme ideologjia, nëse kandidati është i majtë apo i djathtë, por të dhënat që ka, nëse është i aftë për të zgjidhur problemet e qytetarëve. Kjo është një betejë midis dy personave në zgjedhjet elektorale vendore, jo midis ideologjive”, tha Duka.
Kolonja është një zonë historikisht e majtë, ku Partia Demokratike nuk ka fituar asnjëherë zgjedhjet.
K.H.





