Në mënyrë kategorike, Gianni De Biasi vendosi të mos flasë për duelin e luksit me Spanjën, por ta përqendronte të gjithë vëmendjen te ndeshja ndaj Lihtenshtejnit. Drejtuesi i stolit kuqezi e cilësoi përballjen e 6 Tetorit në Vaduz si më të rëndësishmen, pasi bëhet fjalë për një prej tre kundërshtarëve që Shqipëria kërkon të lërë pas në kualifikueset e Botërorit 2018.

“Kemi dy ndeshje, por do të përqendrohemi vetëm te ndeshja e parë ndaj Lihtenshtejnit, që është më e rëndësishme. Kemi thirrur 26 lojtarë për këto dy sfida, pasi ndeshjet janë shumë pranë njëra-tjetrës. Për Kombëtaren, ndeshjet më të rëndësishme do të jenë ndaj Lihtenshtejnit, Maqedonisë apo Izraelit, ndërsa takimet e tjera janë një histori ndryshe. Me Lihtenshtejnin është një sfidë e vështirë sepse duhet të marrim maksimumin e pikëve. Ata janë një skuadër që mbrohet, luajnë ashpër dhe për më tepër jemi në fushën kundërshtare. Objektivi ynë në këto kualifikuese është që të jemi përpara Izrealit, Maqedonisë dhe Lihtenshtejnit. Për ndeshjen me Spanjën do të flas në konferencën përpara sfidës së 9 Tetorit.

Trajneri foli për gjendjen e skuadrës, nga zgjedhja teknike për të mos grumbulluar Shkëlzen Gashin që ka shkëlqyer në javën e fundit në kampionatin amerikan, te afrimi lojtarëve të rinj, rikthimi i Llullakut dhe gjendja fizike e Armando Sadikut.“Bisedova me Gashin që më tha se ndihet gati për të qenë pjesë e skuadrës për të dhënë kontributin e tij. Megjithatë, për zgjedhje teknike e lash jashtë skuadrës. Afrova të rinj si Grezda, Latifi apo Manaj, që i shërbejnë edhe projektit të së ardhmes. Do të shohim si do të arrijnë të integrohen këta lojtarë, por në futboll përgjigjet i jep vetëm fusha e lojës. Gjendjen e Sadikut do ta vlerësojmë në ditët në vijim. Ishte mjaft pozitive që nuk luajti në ndeshjen e Europa League për të mos rrezikuar. Armando është një element mjaft i rëndësishëm për Shqipërinë, po luan rregullisht dhe vazhdon të shënojë. Kemi në skuadër një repart ofensiv me lojtarë të fort, të cilëve u kemi shtuar edhe Llullakun, që rikthehet në Kombëtare si golashënuesi më i mirë në kampionatin rumun.

De Biasi është i vetëdijshëm që mban përgjegjësi të plotë për ecurinë e Kombëtares dhe për zgjedhjet e bëra, ndërsa tha se krahasimet me surprizën Leicester, nuk duhet të vazhdojnë.

“Rreziku nëse nuk fitoj ndaj Lihtenshtejnit? Rreziqet janë pjesë e punës së trajnerit. Unë mbaj përgjegjësi për zgjedhjet që bëj, por natyrshëm është më e lehtë të fitosh me një ekip si Manchester City në krahasim me Brighton apo Swansea. Edicionin e kaluar e bëm surprizën si Leicester, por tani duhet të vazhdojmë një tjetër rrugë, jo si ata në kampionat”.