Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e parë të Këshillit Ministror për Integrim Europian të Qeverisë ka thënë se kërkesat e BE-së ndaj Kosovës duhet të jenë pjesë e planeve dhe axhendës të secilit ministër dhe zyrtar të institucioneve të Kosovës.
“Kërkesat dhe kriteret që dalin nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian për vendin tonë në kuptimin e standardeve që duhet arritur dhe të plotësohen, të trajtohen me seriozitetin e duhur dhe përkushtimin e nevojshëm. Në aspiratat tona shtetërore për të qenë një shtet i zhvilluar me ekonomi të qëndrueshme dhe vend demokratik ku sundon rendi dhe ligji, standardet e BE-së duhet të jenë udhërrëfyes. Prandaj, agjenda e integrimit europian duhet ta shohim si pjesë integruese e axhendës shtetërore”.
Kurti ka shtuar se procesin e integrimit në BE, Kosova s’duhet ta shohë në distancë apo si detyra që BE-ja ia ka caktuar për t’u shpërblyer, por përkundrazi duhet të shihet si një mundësi për t’u reformuar, zhvilluar dhe arritur standardin demokratik, ekonomik dhe mirëqenien sociale.
“Përmbushja e shumë kriteve dhe standardeve varet nga vullneti dhe përkushtimi ynë për t’i kryer ato. Qeveria jonë ka këtë vullnet dhe përkushtim dhe do të angazhohet fuqishëm që ta materializojë atë. Një nga përfitimet direkte të qenit në proces të integrimit të BE-së është edhe skanimi dhe pasqyrimi i punës që na bëhet nga BE-ja në secilën fushë dhe për çdo vit. Kjo në fakt e lehtëson shumë punën tonë, por edhe punën time, sepse e kam më të lehtë të shoh progresin dhe të kërkoj përgjegjësi nga secili prej jush ku ka dështime dhe vonesa. Agjenda e integrimit europian duhet të jetë e mishëruar në planet e secilit institucion dhe zyrtar në institucionet tona”.





