Specialistët e Antidrogës në Drejtorinë e Policisë Durrës kanë goditur një tjetër rast të trafikimit të lëndëve narkotike, sekuestruar 255 kg kanabis, prangosur një shtetas dhe shpallur në kërkim një tjetër.
Në pranga ka rënë Denaldo Kollovi, 22 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë, i cili mbrëmjen e së premtes po lëvizte në aksin rrugor Gjiri i Lalëzit – Kepi i Rodonit.
Policia, rreth orës 22:00, ka marrë njoftimin se nje mjet i dyshimtë po lëviz në aksin në fjalë.
Menjëherë pas këtij njoftimi është organizuar puna dhe në afërsi të Gjirit të Lalëzit është konstatuar automjeti tip Iveco me targa AA 912 GN me drejtues shtetasin e arrestuar dhe pronësi të shtetasit F. M.
Automjeti është shoqëruar në ambjentet e Policisë për kontroll të imtësishëm.
Nga këqyrja që iu bë këtij automjeti nga ana e Specialistëve për Narkotikët, në pjesën midis karrocerisë dhe kabinës, është konstatuar një vend i fshehtë. Në këtë hapësirë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 119 pako të mbështjella me celefon transparent, me peshë 255 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva.
Policia shpalli në kërkim dhe po punon për kapjen e shtetasit F.M., 33 vjeç, banues në Vlorë.
Shtetasi i mësipërm, dyshohet se ka përdorur automjetin e tij me targa AA 912 GN për transportimin e lëndës narkotike nga qyteti i Vlorës për në Gjirin e Lalëzit me qëllim më pas transportimin e po kësaj sasie lënde narkotike me mjet lundrimi nga Shqipëria për në Itali.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale"Trafikimi i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim"parashikuar në nenin 283/a/2 të Kodit Penal.





