Nga Asambleja teksa mbante fjalën e hapjes, Rama u ka dhënë një përgjigje protestuesve, që paralelisht me punimet e Asamblesë, protestojnë para zyrës së tij në Kryeministri.

Rama ka akuzuar për situatën e krijuar, politikën e kazanit, si e ka quajtur ai, që po luan me ndjeshmërinë e njerëzve, por ka thënë prerë se ligji për mbetjet është i domosdsohëm për industrinë ricikluese.

“Ligji për mbetjet, i domosdoshëm dhe tërësisht konform ambicies sonë për një Shqipëri më të pastër, kush kujtohet për cfarë kemi thënë kur kërkonim reformën territoriale, një nga pikat ka qenë na duhet kjo reformë për të kaluar në një fazë racionale të menaxhimit të mbetjeve”- tha Rama.

Ai theksoi se “Kemi kushtëzuar importin me pasjen e fabrikës dhe kush e ka një fabrikë nuk mund të importojë më shumë se sasia që mund të riciklojë. Sot doganat tona kanë vlerësimin nga KE që nuk e kishin në 2013 për bazën e riskut, sot kanë skanerët që dedektojnë cdo lloj lëndë helmuese në cdo mall dhe reduktimi i hyrjes së lëndës në vetëm tre pika, bëhet për të sigurua kapacitetin monitorues. Të ngatërrosh këtë lëndë të parë me plehrat është ligësi diabolike me qëllim për të përfituar sa më shumë nga ndjeshmëria e lartë që kanë shqiptarët, që kanë parë tentativa konkrete për t’i hapur rrugë importit për djegie apo groposje. Mafia është armiku më i madh i riciklimit”.

Rama shtoi se e ardhmja është industria e riciklimit.

Ai ka theksuar se ky ligj nuk është tradhti kombëtare dhe se PS nuk e tradhton interesin kombëtar.

“Ky ligj jo vetëm nuk sjell plehra, por vitin e ardhshëm do kemi 1 mijë të punësuar më shumë, me taksa e sigurime që do të punojnë në fabrikat tona”- tha Rama.