Pamjet filmike të kamerave të sigurisë kanë ndihmuar policinë ruse për të identifikuar dhe arrestuar 3 persona të akuzuar për rrëmbimin e një adoleshenteje 16 vjeçare.
Sipas të përditshmes britanike Mirror, që ka publikuar edhe videon e rrëmbimit, pamjet filmike kanë qenë deçizive për të zbardhur çështjen.
16 vjeçarja po kthehej nga shkolla në momentin kur u rrëmbye. Në pamjet filmike duket qartë një i ri 24 vjeçar që i ofrohet vajzës e kap dhe tenton ta fusë në makinë.
Adoleshentja kundërshton me të gjithë forcën e saj dhe në ndihmë të djalit vjen edhe një grua 31 vjeçare. Ata arrijnë ta fusin 16 vjeçaren në makinë, e cila drejtohej nga një 40 vjeçar.
Sipas Mirror, në zonën ku ndodhi rrëmbimi, e cila ndodhet në kufi me Kazakistanin, është praktikë e zakonshme që kur një i ri hedh sytë mbi një vajzë dhe do ta marrë për nuse e rrëmben. Familjet e vajzave, në pjesën më të madhe të rasteve, detyrohen t’ua japin vajzat e tyre për nuse rrëmbyesve.
Edhe në këtë rast, i ndodhur para refuzimit të vajzës, 24 vjeçari e rrëmbeu. Fatmirësisht policia ndërhyri në kohë për të prangosur rrëmbyesit dhe liruar adoleshenten.





