28 vjeçari shqiptar Arsen Gjini ka gjetur vdekjen, pasi makina me të cilën po udhëtonte ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.
Gjini po drejtonte një BMW 330, të vjedhur pak muaj më parë. Dyshohet se automjeti është vjedhur nga grupi i hajdutëve në të cilin bënte pjesë edhe i riu shqiptar.
Pak para regjistrimit të aksidentit rrugor natën e mbrëmshme, policia kishte marrë një njoftim për një tentativë grabitjeje në San Martino, Rio.
Karabinierët ishin njoftuar për praninë në zonë të një makine identike me atë ku humbi jetën i riu shqiptar.
Dyshohet se Gjini, bashkë me një person tjetër, po tentonin të grabisnin një shtëpi. Por në momentin kur kanë dëgjuar se po afrohej policia, kanë tentuar të largohen me të shpejtë.
Policia italiane ka nisur hetimet për të zbuluar bashkëpunëtorin e Gjinit, i cili dyshohet se është larguar nga automjeti pas aksidentit.
Pjesa e pasagjerit përpara ka pësuar dëmtime të vogla, ndërkohë që ajo e shoferit është shtypur plotësisht si pasojë e përplasjes.
Dyshohet se bashkëpunëtori i 28 vjeçarit shqiptar ka mbetur i plagosur, por ka mundur të largohet në këmbë nga vendngjarja.





