Policia ka zhvilluar një operacion antidroge ditën e sotme në fshatin Rremull të Matit, ku ka zbuluar një banesë që përdorej si bazë e përpunimit të kanabisit.

Banesa ishte në përdorim të shtetasit Shpëtim Lika, i cili është shpallur në kërkim. Në këtë banesë janë gjetur plot 3 tonë e 132 kg kanabis i thatë, gati për t’u shitur.

Gjithashtu, janë zbuluar edhe 13 mijë bimë kanabisi të ndara në parcela. Policia vazhdon aksionin për kapjen e autorëve.

Pas këtij lajmi ka reaguar edhe vetë Policia që ka dhënë detaje për operacionin e nisur që prej tri ditësh.

 

NJOFTIMI I POLICISE

Policia prej tre ditësh operacion anticannabis. Operacioni në gjithë teritorin e rrethit Mat. Policia për tre ditë asgjëson rreth 12.966 bimë narkotike. Sekuestron rreth 3052 kg bimë gjysëm e tharë.

Shpallet në kërkim autori i kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni policor i zhvilluar bazuar tërësisht në informacionin policor të marrë në rrugë operative. Në operacion Policia e Matit dhe FNSH.

Më datë 29. 09. 2016, sipas planit të operacionit me nr. 319, të datës 26. 09. 2016 të Komisariatit të Policisë Mat është shkuar për kontroll teritori për të kontrolluar për kultivimin e bimëve narkotike, ku gjatë kontrollit në teritorin e fshatit Rremull Njësia Administrative Rukaj Bashkia Mat vendi i quajtur Përroi i Kurvajës janë konstatuar 4 (katër) parcela ku ishin kultivuar gjithsej 4020 rrënjë bimë të dyshuara si bimë narkotike canabis sativa, të cilat u asgjësuan në vend me anë të djegies.

Po ashtu gjatë kontrollit në fshatin Rremull në afërsi të banesës së shtetasit Shpëtim Lika në përrua është gjetur një hangar i ndërtuar me shtylla druri ku brenda tij kishte të varura për tu tharë një sasi degësh të dyshuara si degë bime Cannabis Sativa, si dhe 100 metra më lart tek një banesë e pa banuar që administrohej nga shtetasi Shpëtim Lika u gjet dhe një sasi tjetër degësh bimë narkotike që ishte vendosur për tu tharë.

Menjëherë është njoftuar Prokurori ku në prezencë të tij u peshua kjo sasia e bimëve qe ishte në hangarë dhe në banesën e pa banuar ku rezultoi se pesha ishte gjithsej 3052 (tre mijë e pesëdhjetë e dy) kg.

Bima ishte në proces tharje gjysëm e thatë. Nga veprimet hetimore të kryera deri tani del se autori i dyshuar i kësaj bime narkotike është shtetasi: – Shpëtim LIKA, 45 vjeç, lindur e banues në fshatin Rremull Njësia Administrative Rukaj Bashkia Mat, i cili është shpallur në kërkim nga ana jonë.

Policia e Shtetit sqaron se operacioni është zhvilluar nga Policia dhe bazuar në informacionin policor të grumbulluar nga vetë Policia.

Gjithashtu sqarojmë se ska asnjë punonjës policie apo punonjës të administratës të shpallur në kërkim në lidhje me këtë ngjarje. Vijon puna për zbardhjen e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.