Një operacion antidroge është zhvilluar ditën e djeshme në Aprila të Italisë, ku një bandë e trafikut të hashashit është shkatërruar.
Në pranga kanë rënë gjashtë persona, mes tyre edhe dy shqiptarë, shkruajnë mediat italiane. Ata janë: Adriana Gjoka, 30 vjeçe dhe Dorian Kasemi, 27 vjeç.
Policia italiane është vënë në ndjekje të një kamioni të mbyllur, të mbushur me kashtë. Duke qenë se për këtë lloj transporti përdoret kamion i hapur, pasi vlera e kashtës nuk e justifikon përdorimin e një kamioni të mbyllur, karabinierët kanë nisur të dyshojnë.
Ata kanë vënë re se pasi kamioni ka ndaluar atij i janë afruar një automjet tip Opel që drejtohej nga shqiptarja bionde, ndërkohë që 5 meshkuj lëviznin me dy automjete, një BMW dhe një Volksvagen.
Në momentin kur ka nisur shkarkimi i kanabisit nga kamioni kanë ndërhyrë karabinierët.
Ata sekuestruan 180 kg hashash dhe 50 mijë euro të thata. Droga është zbuluar në një kamion që drejtohej nga një shtetas spanjoll.
Në pranga veç dy shqiptarëve dhe shtetasit spanjoll kanë rënë edhe 3 italianë.





