Partia Demokratike ka depozituar sot në Kuvend, kërkesën e 28 deputetëve për mbajtjen e një referendumi të përgjithshëm me pyetjen: “A duhet të lejohet importi i mbetjeve në territorin e Shqipërisë?”

Deklarata u bë sot nga kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka. “Kërkojmë nga Kuvendi miratimin e kërkesës për referendum”, u shpreh ai.

Grupi Parlamentar i PD-së thotë se lejimi i importit të llojeve të caktuara të mbetjeve në territorin e Republikës së Shqipërisë, cenon interesin publik, për shkak se rrezikon jetën dhe shëndetin e brezave të sotëm dhe të ardhshëm; krijon premisë të qartë të shfrytëzimit të këtij aktiviteti nga grupet kriminale ndërkombëtare të importimit të mbetjeve të rrezikshme; bie ndesh me prioritetet ekonomike kombëtare, si dhe me zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë.

Sipas PD-së, ky fakt nënkupton se lejimi ose jo i importimit të llojeve të caktuara të mbetjeve, është çështje me interes publik dhe për pasojë ajo konsiderohet një çështje me rëndësi të veçantë, në kuptim të nenit 150/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Për këtë, Partia Demokratike kërkon që ky vendim të mos i lihet qeverisë, por populli të thotë fjalën e tij përfundimtare për këtë çështje.