Nga Shefqet Kërcelli

Stërvitja “Joint Effort-2016”, e cila kulmoi më datën 26 shtator 2016, promovoi aftësitë operacionale dhe profesionale të gjithë Forcave tona të Armatosura, atyre Tokësore, Ajrore dhe Detare. Çdo forcë në teatrin e vet stërvitor demostroi shkallën, aftësitë dhe nivelin e përgatitjes sipas skenarëve të ndryshëm në zbatim të detyrave e misionit luftarak, ku lufta kundër akteve terroriste ishte tema kryesore. Ndërsa Forcat Tokësore bashkë me ushtarakët aleatë eksploruan me pëllëmbë rajonin e tyre në Bizë, atë ditë Forca Detare dhuroi një spektakël të stërvitjeve bashkëkohore në rajonin e Kepit të Palit.

Në fakt gjiri i Kepit të Palit është i përshtatshëm për stërvitje të tilla, por ka dhe histori betejash të hershme detare. Psh. në vitin 1081, këtu shënohet dhe një nga betejat më të rëndësishme detare, pasi princi anzhuin Robert Boemundi, me një flotë të mirëarmatosur për kohën u përpoq të krahëmerrte Durrësin nga rajoni i kepit të Palit. Burimet historike dëshmojnë se mbas një beteje të përgjakshme, Roberti u thye keqas nga trupat dhe anijet e princ Paleologut dhe ato veneciane. Ka vite që detarët shqiptarë këtë gji të bukur dhe historik e kanë kthyer në një rajon stërvitor ku masin forcat me dallgët dhe shkelës të ligjit në det. Për detarët kjo ditë u kthye në ditë të shënuar, pasi këtë finale të stërvitjes në det, e ndoqën dhe ushtarakë të lartë, konkretisht, Shefi i Shtabit i FA, Gjeneralmajor Jeronim Bazo, Komandanti i Forcave të SHBA në Evropë, Gjeneral Lejtnant Benjamin Hodges, Komandanti i FSK, GjeneralLejtnant Rahman Rama, Gjeneral Brigade Ryan Richmond, Komandant i Brigadës 160-të të Ushtrisë Mbretërore Britanike, Komandantët e Forcave Detare, Tokësore dhe Ajrore, Gjeneral Major Ylber Dogjani, Gjeneral brigade Nazmi Cahani, Vladimir Avdiaj dhe ushtarakë të tjerë. …

Mëngjesin e 25 shtatorit 2016, një grup terroristësh kishin kapur peng një anije me flamur shqiptar. Mbas një beteje 24 orëshe anijet tona luftarake të mbështetura nga ajri dhe forcat speciale bënë të mundur kapjen dhe asgjësimin e terroristëve dhe lirimin e pengjeve. Ushtarakët e lartë ndoqën dhe vlerësuan nivelin dhe përkushtimin e detarëve në çdo skenar stërvitor. Rajoni detar i kepit të Palit, për mëse 2 orë u kthye në një betëjë detare, sigurisht jo si ajo e vitit 1081… por me mjete dhe taktika të kohës, standarte që zbaton cdo flotë e vendeve aleate të NATO-s. Fillimisht Gjeneral Bazo theksoi rritjen e parametrave e treguesve profesionalë të detarëve. Më pas, i mrekulluar nga natyra, pamja që të afron ky gji dhe ky kep vetëm pak milje nga Durrësi, performanca që treguan detërët tanë, Komandanti i Forcave Amerikane në Evropë, Gjeneral Lejtnant Ben Hodges, ju drejtua detarëve tanë me fjalë të ngrohta dhe të përzemërta, me thjeshtësinë tipike e të drejtpërdrejtë, ashtu si flasin ushtarakët amerikanë, një përshëndetje miqësore.

Gjeneral Hodges, u interesua për nivelin e anglishtes nga detarët tanë, më pas largoi kamerat para vetes dhe tha: Dua ti shoh në sy të gjithë, ju sot treguat vlerat më të mira profesionale si detarë. Ushtria Shqiptare dhe vendi juaj është një aleat i rëndësishëm i NATO-s dhe SHBA. Ne ju inkurajojmë dhe mbështesim në çdo hap që do hidhni për forcimin e sigurisë dhe paqes…Unë jam nga Florida, jam rritur afër detit, por dhe ju keni një bregdet të mrekullueshëm, të cilin unë do e vizitoj me familjen. Detyra ime është të komandoj të gjitha llojet e Forcave, por sikur të isha në përbërje të Forcës Detare, do e kisha zyrën time këtu në këtë godinë, ku mbas detyrave ditore do pija cigare qetësisht…Gjithashtu Gjeneral Hodges tregoi interes për historinë e popullit shqiptar dhe bazës detare të Kepit të Palit. Kështu për disa minuta Ai u njoh me momentet kryesore të historisë së kësaj baze. Koha e shkurtër e qëndrimit në Kepin e Palit, nuk mundësoi që Gjeneral Hodges të provonte mikpritjen e detarëve. Por, Gjenerali dhe aleatët e tjerë e ka derën e hapur për cdo rast që do vizitojë Durrësin dhe Shqipërinë. Ai në një kohë të shkurtër tregoi vlerat e tij si drejtues ushtarak fisnik, mik i shqiptarëve dhe fitoi zemrat e detarëve tanë.

Po më 26 shtator, para stërvitjes në Kepin e Palit, në rajonin e Bizës, Gjeneral Ben Hodges tha:

 “Ushtria shqiptare po përparon, por ka ende për të bërë. Duhet të dimë që asgjë nuk është falas, ndaj Shqipëria duhet të rrisë investimet për ushtrinë. Shqipëria ka dhënë një zotim që buxheti për ushtrinë do të jetë 2% e GDP-së. Përsa i takon ushtrisë së Kosovës, anëtarësimi në NATO është një vendim politik”.

Shënim:Ndjehem i priviligjuar që më është dhënë mundësia të shoqëroj thuajse të gjithë Komandantët e Forcave të SHBA në Shqipëri. I pari Komandant i Forcave Amerikane në Evropë që ka vizituar vendin tonë ishte Gjeneral Lejtnant Krouc, i cili qëndroi disa ditë në garnizonin e Plepave në shtator 1995, madje unë kam një foto eksluzive të gjeneralit Krouc mes artistëve durrsakë.  Ndërsa në zyrën e dëshëruar nga Gjeneral Hodges, punova disa vite ku shkrova “Antologjinë e Detarisë Shqiptare”. Gjeneral Hodges mban detyrën e Komandantit të Forcave të SHBA në Evropë që nga 5 nëntori i vitit 2014. Theksoj se, shkrimi i mësipërm do jetë pjesë e librit më të ri, “Një shekull bashkëpunim ushtarak Shqipëri-SHBA”.