Anëtari i Komisionit Parlamentar për Sigurinë Kombëtare, i cili ka vizituar dy ditë më parë një të paraburgosur në burgun nr. 302 në Tiranë, është kryetari i këtij komisioni, deputeti Spartak Braho. Lajmi konfirmohet për gazetën “Panorama” nga burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Mësohet se deputeti Braho ka qenë i pranishëm në ambientet e burgut “Mine Peza” për një takim me ish-zëvendësdrejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Iliaz Labi, person nën hetim në masë sigurie “arrest në burg” për “korrupsion”.

“Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare ka qenë në ambientet e paraburgimit “Mine Peza”, nr. 302, ku ka zhvilluar një takim me të paraburgosurin Labi”, thanë burimet, duke mohuar që ai të ketë takuar persona të tjerë.

U bë e ditur se vizita e deputetit është zhvilluar në zbatim të procedurës dhe rregullores së institucionit. Për shkak të statusit të deputetit, Braho e ka të drejtën e takimit me persona të izoluar në institucione të paraburgimit.

Hyrja është dokumentuar në regjistrin e hyrje-daljeve të institucionit, ku shënohet edhe arsyeja e vizitës. Në rastin në fjalë, motivi ka qenë “takim me të paraburgosurin Iliaz Labi”.

Të njëjtat burime saktësuan se vizita e Brahos ka qenë e dyta në një hark kohor prej një jave. Mësohet se mes kreut të Komisionit të Sigurisë dhe ish-zëvendësdrejtorit të Burgjeve ka njohje personale e miqësi familjare dhe vizitat e shpeshta mund të kenë lidhje dhe me interesimin e deputetit për disa probleme shëndetësore nga të cilat vuan i paraburgosuri Labi.

Më herët, gazetari investigativ Artan Hoxha, deklaroi se një deputet, por pa ia përmendur emrin, kishte vizituar në këtë burg Dritan Dajtin në qeli e madje kishte kërkuar edhe fikjen e kamerave. U aludua më pas nga mediat se kishte qenë pikërisht Braho ai që kishte takuar Dajtin të akuzuarin për vrasjen e katër policëve më 7 gusht 2009, në Durrës. Këto deklarata u bënë shkak të nesërmen për “vënien në lëvizje” të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.