Një studente që kohë më parë kishte mbërritur në Itali nga Afrika për të vijuar studimet e larta ka denoncuar një mjek, që sipas saj e detyronte t’i bindej si skllave dhe abuzonte seksualisht me të.
Mediet italiane raportojnë se vajza e re ishte njohur në vendin e saj me mjekun shumë më të madh se ajo në moshë. Ky i fundit i kishte propozuar ta merrte me vete në Itali për të ndjekur studimet e larta.
Vajza e re kishte pranuar duke mos e ditur se ai vendim do t’i ndryshonte jetën dhe për të do të fillonte një jetë torturë.
Sipas vajzës, mjeku e detyronte që çdo të enjte të shkonte në një shtëpi të dytë që ai zotëronte dhe ku i linte një listë të tërë me punët e shtëpisë që duheshin bërë.
Më pas, vajza dhunohej seksualisht gjatë fundjavës me zërin e televizorit të ngritur për të mos dëgjuar fqinjët të qarat dhe të bërtiturat e saj.
Mjeku i kishte siguruar asaj një vizë pune për qëndrimin në Itali dhe e detyronte t’i nënshtrohej gjithë tekave të tij. Pas disa muajsh vuajtjeje, vajza e re gjeti kurajon ta denonconte.





