Dy raste vjedhjeje janë dokumentuar nga Policia e Durrësit në 24 orët e fundit.

Një gruaje të moshuar, një person ende i paidentifikuar i ka vjedhur çantën e dorës, në të cilën kishte 200 lekë dhe një celular.

71 vjeçarja F.S. ka deklaruar para forcave të rendit se ndodhej në lagjen nr.4 të qytetit bregdetar, kur një hajdut i ka rrëmbyer me forcë çantën nga dora dhe është larguar me shpejtësi. Të moshuarës i është dashur pak kohë të marrë veten nga episodi aspak i këndshëm dhe i është drejtuar më pas Komisariatit të Policisë për të denoncuar rastin. Blutë e Durrësit kanë nisur hetimin mbi këtë çështje.

Ndërkohë shtetasi Indrit Mullahi, 48 vjeç, nga Fushë Kruja është prangosur, pasi akuzohet si një nga tre personat që kanë tentuar të vjedhin në Ishëm shtëpinë e shtetasit I.Xh., 48 vjeç.

Pas prangosjes së Muhallit, policia ka shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorët e tij A.D. dhe J.G., 37 dhe 22 vjeç, po nga Fushë Kruja.