Një ditë më parë gazetari Artan Hoxha, deklaroi në rubrikën “Opinion” në News 24, se një deputet ka vizituar në burgun 302 në Tiranë, të akuzuarin për vrasjen e 4 policëve, Dritan Dajtin.
Sot Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka zbarkuar në burgun 302, për një kontroll për të bërë verifikimet e rastit, shkruan BalkanWeb. SHKB thuhet se po kontrollojnë hyrje-daljet që janë bërë ditët e fundit në këtë burg që ndodhet Dajti.
DENONCIMI I ARTAN HOXHËS
Artan Hoxha deklaroi një ditë më parë se një deputet i Komisionit Parlamentar të Sigurisë ka zhvilluar një takim në burgun 302, ku ndodhet edhe Dritan Dajti, i akuzuar si kapobandë dhe autor i një masakre të pesëfishtë më 7 gusht të vitit 2009 në qytetin e Durrësit, 4 prej viktimave policë.
Po në të njëjtin burg ndodhet edhe Kastriot Ismailaj. Sipas Hoxhës, deputeti në fjalë ka deklaruar se do të takonte ish-zv.drejtorin e burgjeve, Iljaz Labin, i cili u arrestua për korrupsion, por nuk e ka takuar.
“Para se të hynte në burg, deputeti ka kërkuar që të fiken kamerat e sigurisë, në mënyrë që të mos linte gjurmë”, tha Hoxha, i cili deklaroi se deputeti është takuar me Dritan Dajtin dhe një tjetër të burgosur që dyshohet se është Kastriot Ismailaj.
Gazetari Hoxha tha se deputeti mund të takojë çdo të dënuar, pasi këtë ia lejon ligji por se nuk është normale që kërkohen të mos lihen gjurmë, pra të mos funksionojnë kamerat.





