“Mijëra turistë të huaj që vijnë për pushime në Shqipëri do t’i kenë shërbimet shëndetësore falas, ashtu sikurse shqiptarët”.
Deklarata është bërë nga Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili analizoi pak ditë më parë në Durrës, punën e bërë nga qendrat shëndetësore të hapura për sezonin veror në të gjithë bregdetin shqiptar.
Mjekët nga i gjithë vendi ju drejtuan ministrit njëzëri, për trajtimin e të huajve që kërkojnë shërbim shëndetsor në vendin tonë.
“Si do të veprohet me të huajt që paraqiten në ambulancat dhe qendrat shëndetësore? Ata janë të siguruar, kanë policë sigurimi”ishte shqetësimi që ngritën mjekët para ministrit.
Ministri Beqaj në fjalën e tij tha se të huajt sjellin të ardhura për turizmin dhe për këtë fakt, pavarësisht se janë të siguruar, shërbimet do t’i marrin falas, ashtu siç i marrin edhe shqiptarët.
Gjatë këtij sezoni veror janë kryer 39.500 trajtime në qendrat shëndetësore turistike. 68 milionë lekë janë shpenzuar për barna, pa përfshirë kostot e udhëtimit apo të helikopterëve e pajisjeve mjekësore. Mesatarisht një vizitë ka kosto 1.700 lekë për pacient, ndërsa me trajtim mjekësor 2 mijë lekë për pacient.





