Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, mori pjesë në ceremoninë e dorëzimit të 10 ekskavatorëve me vlerë 2 milionë dollarë, donacion i qeverisë së Kinës.
Në ceremoninë e zhvilluar në Shkozet të Durrësit, të pranishëm ishin edhe ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti dhe ambasadorja e Republikës Popullore të Kinës në Tiranë, znj. Jang Yu.
Kryetari i Kuvendit, Meta, në fjalën e tij tha se “Këto mjete jashtëzakonisht moderne dhe të fuqishme do të ndihmojnë mjaft për të zgjidhur shumë probleme me të cilat bujqësia jonë ndeshet, me infrastrukturën e saj kulluese dhe vaditëse, por njëkohësisht do të shërbejë për të pastruar shumë prej lumenjve dhe për të mbrojtur tokat bujqësore, por dhe mjaft komunitete në vendin tonë që ende vuajnë nga përmbytjet sot”.
Kreu i Kuvendit theksoi se zhvillimi i bujqësisë është një prioritet madhor për ekonominë tonë kombëtare.
“Zhvillimi i bujqësisë padiskutim që është një prioritet madhor, për të gjithë zhvillimin e vendit dhe për të luftuar varfërinë, për të rritur ekonominë tonë kombëtare, për të rritur eksportet. Besoj se ky bashkëpunim edhe me qeverinë e Kinës, por edhe me qeveri të tjera, do të vazhdojë në mënyrë që t’i mbështesim sa më shumë fermerët tanë, që ata të arrijnë rezultate sa më të mira për familjet e tyre, por edhe në dobi të gjithë ekonomisë tonë”, tha Meta.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, tha se “10 ekskavatorë të fuqishëm krahëgjatë i shtohen flotës së ekskavatorëve dhe makinerive bujqësore të vendit gjë që do t’i shërbejë fuqizimit akoma edhe më shumë të kapaciteteve tona për kryerjen e punime në kanalet kulluese edhe vaditëse”.
Ministri Panariti garantoi se së shpejti do të shtohen edhe 61 ekskavatorë të tjerë me financim e qeverisë shqiptare duke rinovuar totalisht për herë të parë në historinë e saj flotën e ekskavatorëve dhe të makinerive bujqësore që Ministria e Bujqësisë ka në dispozicion.
Ndërsa ambasadorja e Kinës, znj. Jiang Yu, vlerësoi vëmendjen e Kryetarit të Kuvendit, Meta, për të mbështetur bashkëpunimin midis dy qeverive në fushën e bujqësisë dhe në fushat e tjera.
“Kemi planifikuar që të zhvillojmë një bashkëpunim shumë të ngushtë me Ministrin e Bujqësisë, me qeverinë shqiptare, që të krijojmë sa më shpejt servisin e makinerive bujqësore”,u shpreh ambasadorja Yu.





